Regjistrimi i shqiptarëve në Luginë, Kurti: Jeni shumë më shumë se që ju paraqesin

Regjistrimi i shqiptarëve në Luginë, Kurti: Jeni shumë më shumë se që ju paraqesin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se qytetarët e Preshevës iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit të popullësisë.

Kurti pati bërë thirrje që regjistrimin e popullësisë mos ta trajtojnë vetëm si veprim të natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik.

“Nga 1 tetori e deri më sot, kur po përfundon regjistrimi i popullsisë dhe pasurive, shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit.

Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik”, ka shkruar kryeministri.

Ai theksoi se shqiptarët në Serbi, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë.

“Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut”, ka shkruar tutje ai.

Si përfundim, Kurti falënderoi të gjithë qytetarët që iu përgjigjen pozitivisht thirrjes së tij për regjistrim.

Related Articles