Prokuroria Speciale me seli në Hagë pas disa kohësh është rikthyer në Kosovë, kësaj radhe për t’i intervistuar e konfiskuar gjësendet e disa prej ish krerëve të UÇK-së që gjenden në liri. Në ndërkohë një gjë e tillë po shihet nga avokatët si mbulesë për dështim të kësaj gjykate, shkruan Gazeta Enigma.
Dy ditë më parë, ish komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën “Remi”, i cili ishte ndër emrat e parë që u ftua për intervistim nga Specialja, njoftoi se disa prokuror të Speciales e vizituat atë në shtëpi, për t’ia konfiskuar telefonin personal.
“Sonte rreth orës 20:00 para shtëpisë time më janë prezantuar hetuesit e Gjykatës Speciale të Kosovës me një urdhër nga prokuroria e Gjykatës Speciale për kontroll të telefonit. Gojarisht më shpjeguan se duhet të bëjmë një bisedë zyrtare në zyre të Eulexit”, bëri të ditur ai.
Ai njoftoi po ashtu se në zyre të Eulexit i është sekuestruar telefoni.
E njësoj ndodhi edhe me ish pjesëtarin tjetër të UÇK-së, Nait Hasani. Edhe atij iu konfiskua dje telefoni nga pjesëtarët e Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë, avokatët konsiderojnë që këto lëvizje të fundit të Speciales po bëhen për t’i mbuluar dështimet e Gjykatës, e cila sipas tyre nuk ka siguruar prova faktike për krimet që pretendon se i kanë kryer ish krerët e UÇK-së.
Avokati Anton Nrecaj ka thënë për Gazetën Enigma, se me dëshmitë e fundit nënkuptohet se Prokuroria realisht nuk ka fakte për krimet e pretenduara.
“Javën e kaluar u dëshmua se realisht gjithçka që dëshmitari i Human Rights Ëatch ka shkruar në raport kanë qenë, informatat i ka marrë nga serbët. Kjo është pra një tendencë për me mbulu dështimin e prokurorisë. Gjithcka është e destinuar për të dështuar, gjithë përpjekjet, argumentet, faktet janë të dizajnuara, e shpikur, e e përgaditur nga autoritetet serbe”, tha ai.
Ai tutje shtoi se “Gjithçka që kanë deklaru dëshmitarët kanë qenë në kundërshtim me atë që janë akuzu ish krerët e UÇK-së, s’ka pasur asnjë argument, asnjë bazë”.
Ndërkohë avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini për Gazetën Enigma ka theksuar se me veprimet e fundit, ky organ po i cenon privatësinë e individëve të caktuar.
“Nga ana përmbajtësore këto veprime quhen ndryshe veprime të posaqme hetimore, pëgjimi, bastrsja, vendosja e përgjuesve, etj; dhe këto duhet të ndërmarren kur veprimet e rëndomta nuk mund të jepin rezultat, dhe këto po përdoren si masa hetimore të para, e që nuk ish dashtë, por vetëm si masa ekstreme hetimore sepse me to cenohet privatësia”, tha ndër të tjera ai.
Çka tha dëshmitari nga Human Rights Ëatch, që “tronditi” Specialen
Deklarata e Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch” (HRW), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili tha se do përpilonte ndryshe fjalitë në raportin ku është folur për rastin e trupave të pajetë në Liqenin e Radoniqit, është parë si pozitive për ish krerët e UÇK-së, që janë në Hagë.
Ai këtë e tha teksa po i përgjigjej mbrojtjes së Veselit, avokatit Ben Emmerson.
Avokati Emmerson fillimisht lexoi një pjesë të një raporti të shkruar nga Abrahams se komandanti i regjionit të Dukagjinit duhet të ketë ditur siç e kanë përshkruar në raport, për masakrën më të madhe që ka kryer UÇK-ja në 1998, një ekzekutim afër liqenit të Radoniqit ku janë vrarë 30-40 persona.
Për këtë, avokati tha se 9 prej viktimave sa kanë qenë gjallë, për herë të fundit kanë qenë nën ruajtjen e serbëve, e që dëshmitari tha se ‘‘duke ditur ato që dimë sot, këto fjali do e përpiloja ndryshe’’.
Pas kësaj, avokati tha se gjykimi për këtë çështje ka mbaruar dhe se personi është i pafajshëm dhe se është vërtetuar se nuk kishte organizatë të përbashkët kriminale dhe as nuk kishte lidhje me asnjë nga komandantët e zonave.
‘‘E pranoj gjithsesi se formulimi duhet të ishte bërë ndryshe’’, tha Abrahams kurse avokati Emmerson tha se çështja shkon përtej sepse vrasjet janë përshkruar si të kryera nga forcat e UÇK-së.
Dëshmitari tha sërish se ‘‘duhet të ishte shkruar ndryshe’’ dhe se pretendimet i kishin marr nga palët serbe. / Gazeta Enigma.