Ndonëse kanë kaluar 25 vite prej përfundimit të luftës në Kosovë, ata që e kanë përjetuar i kanë ende të freskëta pamjet e tmerrshme të asaj kohe, shkruan Gazeta Enigma.
Shumë të vrarë, tjerë të dhunuar, fëmijë të ndarë nga prindërit e tyre, pleq të shpërndarë nëpër male plotësojnë copëzat e një imazhi të tmerrshëm, që vështirë harrohet.
Të paktën kështu thonë edhe njohës të fushës, psikologë e sociologë.
Sociologia, Flaka Ymeri për Gazeta Enigma ka treguar se sa ka ndikuar lufta në zhvillimin e shoqërisë kosovare.
“Lufta ka lënë pasoja të shumta traumatike për shoqërinë tonë dhe kjo na bën të kuptojmë se shoqëria jonë ka ngecur në zhvillimin e saj të pos traumave” – është shprehur Ymeri.
Madje ajo ka shtuar se pikërisht traumat e luftës mund të jenë një ndër faktorët e gjakënxehtësisë së popullit ose mos menaxhimit të sjelljes.
Ndërkaq edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada, psikologu Yll Avdijaj, vlerëson se kosovarët ende përballen me pasojat dhe traumat të cilat ua ka ngulitur lufta në identitetin e tyre.
“Mund të them se akoma vazhdojmë të përballemi me pasojat dhe traumat të cilat i ka lënë lufta. Të traumatizohesh nënkupton se është vënë një damkë apo plagë e cilat do të jetë me ne për aq sa të kemi jetëgjatësi”, ka thënë Avdijaj për Gazeta Enigma.
Tutje ai ka shtuar se vrasjet, vetëvrasjet dhe tentativat për vetëvrasje mund të kenë gjenezën pikërisht tek përjetimet që populli ynë i ka pasur gjatë viteve 98-99.
“Vështirësitë, problemet, vrasjet, vetëvrasjet e shumë çështje të tjera që aktualisht po përballemi ne si shoqëri, vlerësoj se një hise të madhe e kanë edhe nga vet përjetimet dhe traumat që vijnë nga lufta”, – është shprehur psikologu.
Cka ndodhi gjatë luftës në Kosovë?
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999 ku u vranë 4,082 persona.
Të vrarë mbetën 8662, civilë shqiptarë ndërsa 2132 ishin pjestarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Viti më i përgjakshëm mbetet ai i 99-tës ku humbën jetën 11.199 persona.
Komuna me numrin më të madh të viktimave është Gjakova, me 1.214 të vrarë.
Sipas statistikave për fatin e 1658 personave nuk dihet ende. /Gazeta Enigma