Rizvanolli për propozimin e ZRRE-së: Nuk është final por 75 milionë euro do të subvencionohen për energji

Rizvanolli për propozimin e ZRRE-së: Nuk është final por 75 milionë euro do të subvencionohen për energji

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në konferencë për media ka thënë se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës nuk është final, raporton Gazeta Enigma.

Rizvanolli ka deklaruar së bashku me kryeministrin Kurti se do të kërkojnë sqarime shtesë dhe do të japin propozime aty ku mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.

“Propozimi i ZRRE-së nuk është final. Ai është në diskutim publik. Ne do ta trajtojmë raportin. Do të kërkojmë sqarime shtesë dhe do të japim edhe propozime për ato ku mendojmë se gjërat mund të bëhen më mirë. Mirëpo një gjë është e qartë dhe ka qenë e qartë edhe para se ta shohim këtë raport”, tha ajo.

Ministrja përsëriti njoftimin se kostot e importit të energjisë elektrike janë rritur shumë, ndërsa tha se subvencionimi nga Qeveria është i pashmangshëm.

Rizvanolli tha se ndihma e Qeverisë do ta zbusë shtrenjtimin e rrymës, ndërsa theksoi se Ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në vendimet e ZRRE-së.

“Qeveria nuk miraton, as nuk ka përgjegjësi në vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ndërhyrja në vendimet e tyre do të ishte e jashtëligjshme. Mirëpo ne zotohemi se çfarëdo vendimi që ZRRE-ja do ta marrë, ne do të përkushtohemi të ndihmojmë përmes instrumenteve që i kemi në dispozicion për të siguruar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, mbrojtjen e konsumatorëve – në radhë të parë atyre që e shfrytëzojnë energjinë elektrike racionalisht sipas nevojës – si dhe në mbrojtje të vendeve të punës”, tha ajo.

Ndryshe, pas paralajmërimeve për dyfishimin e çmimit të energjisë elektrikë për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600kWh energji përmes bllok tarifave, të mërkurën kryeministri Kurti dhe ministrat Rizvanolli e Murati vizituan AKP-në.

Në këtë takim të hapur për medie, kryeministri Kurti u pyet se pse qeveria nuk po e kundështon propozimin e ZRRE-s, me çrast edhe bëri të ditur për konferencën për media./Gazeta Enigma/

Related Articles