Qeveria e Kosovës mori vendim të mërkurën për masat detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike.
Pas shpalljes së masave emergjente për energji në vend, e me rekomandime të Komisionit Teknik Emergjent, Ministria e Ekonomisë tha se janë duke marrë të gjithë hapat e domosdoshëm për minimizim të ndikimit të krizës energjetike botërore tek qytetarët e vendit.
“Përderisa fokusi ynë është përmirësimi i kapaciteteve gjeneruese vendore për të garantuar siguri energjetike, ulja e konsumit të energjisë në vend është kritike për të përballuar sa më lehtë krizën gjatë muajve të dimrit”, ka shkruar Rizvanolli.
“Bashkërendimi i të gjitha institucioneve e ndërmarrjeve publike është i domosdoshëm për t’u përballur me situatën e rënduar energjetike e që së bashku të lehtësojmë barrën për secilin qytetar e biznes të vendit. Tejkalimi i krizës botërore të energjisë varet prej secilit prej nesh”, shtoi tutje ministrja e Ekonomisë, derisa renditi 19 masat e ndërmarra.