Rrëfimi i ish-sulmuesit gjilanas që la Zvicrën për përfaqësuesen dardane

Rrëfimi i ish-sulmuesit gjilanas që la Zvicrën për përfaqësuesen dardane

Ish-sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjaku, mund të konsiderohet si një futbollist me fat, pasi ka luajtur për dy ekipe përfaqësuese, Zvicrën dhe Kosovën.

Bunjaku ka bërë një karrierë të bujshme kryesisht ku luajti në futbollin zviceran dhe atë gjerman.

39-vjeçari ka luajtur për grupmoshat e Zvicrës U21, derisa ka edhe gjashtë paraqitje me Përfaqësuesen A të Zvicrës, ku njëra nga to është edhe në Kampionatin Botëror të vitit 2010.

Ai kishte përfaqësuar Zvicrën, më pas edhe Kosovën pas pranimit në UEFA e FIFA.

Ai do të mbahet mend gjithmonë për arsyen që është autor i golit historik të Kombëtares së Kosovës, në ndeshjen ndaj Turqisë.

Tani, ai po jep kontributin e tij për fanellën dardane, si përzgjedhës në grupmoshat U-19.

Në ditën e pavarësisë së Kosovës, për Gazetën Enigma, ai rrëfen momentet më emocionuese dhe krenare që kaloi më përfaqësuesen.

Si e përjetuat momentin kur Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA?

Në momentin që Kosova u pranua nga FIFA dhe UEFA, unë isha ende një lojtar aktiv dhe më lejuan të marr pjesë në këtë lojë. Ishte një moment shumë emocionues dhe krenar për mua.

Cili ka qenë momenti më i veçantë për ju me fanellën e Kosovës?

Momenti im më i mirë ishte padyshim ndeshja e parë kundër Haitit dhe ndeshja e parë zyrtare që kam mujt të luaj. Unë jam shumë krenar për këtë.

Çfarë emocionesh ju ka dhënë përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare?

Ky është një moment shumë i madh jo vetëm për mua por për të gjithë kosovarët që ta shohin Kosovën në skenën ndërkombëtare. Mendoj se të gjithë jemi krenarë për këtë.

Si e shihni zhvillimin e futbollit në Kosovë sot? A është në rrugën e duhur?

Zhvillimi është shumë pozitiv, mendoj se kemi ende shumë potencial dhe do të festojmë shumë suksese të tjera në të ardhmen.

Cili është mesazhi juaj për brezin e ri të futbollistëve kosovarë?

Kemi shumë futbollistë të talentuar jashtë dhe në Kosovë dhe shpresoj që lojtarët të vendosin të luajnë për kombëtaren tonë në të ardhmen.

A mendoni se Kosova mund të arrijë një turne të madh si Evropiani apo Botërori së shpejti?

Ne kemi shumë lojtarë që luajnë për klubet më të mira në Evropë dhe mendoj se nëse vazhdojmë të zhvillojmë talentet tona të reja, atëherë kemi një të ardhme shumë të mirë përpara nesh dhe së shpejti do të kualifikohemi në një turne të madh.

/Gazeta Enigma/

Related Articles