Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen të dielën e 17 tetorit. 94 parti politike do të garojnë, ku sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), 32 janë subjekte politike, një koalicion dhe 35 iniciativa qytetare e 26 kandidatë të pavarur, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Në Zgjedhjet Lokale, që do të mbahen më 17 tetor, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
“1 milion e 885 mijë e 448 votues, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021”, ka thënë Elezi për Gazetën “Enigma”.
Tetë mijë e 937 persona do të votojnë për herë të parë të dielën.
“41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt apo do ta arrijnë deri më 17 tetor dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare”, ka deklaruar Elezi.
25 mijë vëzhgues për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
Në zgjedhjet e 17 tetorit do të angazhohet 25 mijë vëzhgues, nga partitë politike, OJQ-të vendore ato ndërkombëtare, ambasadat si dhe nga mediat.
“Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar është rreth 25 mijë vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, organizatat jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, ambasada, institucion vendor dhe media”, ka theksuar Elezi.
Ndërsa nga organizatat ndërkombëtare janë akredituar 177 vëzhgues dhe 39 persona nga ambasadat në Kosovë.
“Numri i vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare është 177, ndërsa 39 të tjerë u takojnë ambasadave apo konsullatave në Republikën e Kosovës”, ka thënë Elezi.
A ju duhet dëshmia e vaksinimit ditën e zgjedhjeve?
Të gjithë qytetarëve që kanë të drejtë vote më 17 tetor nuk do t’u kërkohet dëshmia e vaksinimit apo test antiCOVID.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar apo se kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, për Enigmën.
E njëjta gjë nuk vlen edhe për vëzhguesit, komisionarët dhe akterët e tjerë të përfshirë në procesin e votimit, për të cilët do të ketë masa kufizuese, do të kërkohet kartela e vaksinimit dhe testi anti-COVID.
“Nga anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe nga vëzhguesit, do të kërkohet që të dëshmojnë se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës apo duhet ta kenë me vete ndonjërin nga testet për COVID-19”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së.
87 ekipe mobile në dispozicion për të infektuarit me Coronavirus në ditën e zgjedhjeve
Numri i rasteve aktive me Coronavirus në Kosovë është 924 pacientë, por të cilëve KQZ-ja u ka bërë të mundur që të votojnë nga vendi i izolimit.
“Për këtë qëllim, janë 87 ekipe mobile, me gjithsej 348 anëtarë. Në çdo ekip është edhe një anëtar nga institucionet shëndetësore, me qëllim të këshillimit profesional”, ka thënë Valmir Elezi.
Sikur edhe në zgjedhjet e kaluara ekipe mobile në teren do të ketë edhe për personat me nevoja të veçanta të cilët nuk mund të shkojnë në qendrat e votimit.
“Në ditën e zgjedhjeve, do të angazhohen 109 ekipe mobile, me gjithsej 327 anëtarë”, ka deklaruar Elezi.
Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, kurse balotazhi për ata kandidat që nuk arrijnë të marrin shumicë për të udhëhequr komunën ku garojnë, do të mbahet më 14 nëntor./Gazeta Enigma/