Agjencia Evropiane e Ruajtjes së Kufijve FRONTEX ka bërë të ditur se në katër muajt e parë të këtij viti, rruga më aktive e migracionit të paligjshëm drejt vendeve të BE-së ishte “Rruga e Ballkanit Perëndimor”, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria, përcjellë GazetaEnigma.
Në raportin e fundit nga Frontex, “Rruga e Ballkanit Perëndimor”, pëfshinë gjysmën e të gjitha kalimeve të paligjshme kufitare drejt BE-së me rreth 27 mijë kalime, 130% më shumë se viti i kaluar.
Kjo rrugë më së shumti është shfrytëzuar nga migrantët sirianë dhe afganë.
Raportet e policisë kufitare shqiptare thonë për këtë periudhë se ka një rritje të depërtimit të migrantëve të paligjshëm, kryesisht nga kufiri grek, me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri dhe me destinacion në vendet e BE-së.
Kurse sipas raportit të fundit të FRONTEX, numri i përgjithshëm i migrantëve të paligjshëm në periudhën janar- prill të këtij viti që përfshijnë krahas Rrugës Ballkanike edhe Rrugët e Mesdheut Lindor dhe Qëndror ishte 57. 800 persona, rreth 69% më shumë se në katër muajt e parë të vitit të kaluar.
Ndërkohë që refugjatët të cilët ikin nga Ukraina dhe hyjnë në BE përmes pikave të kalimit kufitar nuk janë pjesë e shifrave të hyrjeve të paligjshme të gjetura.
Frontex bën të ditur se më shumë se 5.9 milionë persona kanë hyrë në Bashkimin Europian nga Ukraina dhe Moldavia që nga fillimi i sulmit rus në shkurt të këtij viti./ GazetaEnigma