Rusia alarmohet nga bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri–Kroaci: Po krijohet një “kuazibllok ushtarak” në Ballkan

Rusia alarmohet nga bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri–Kroaci: Po krijohet një “kuazibllok ushtarak” në Ballkan

Rusia ka reaguar ndaj bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke pretenduar se tri vendet po krijojnë një “kuazibllok ushtarak” që mund të çojë drejt përshkallëzimit të tensioneve në Ballkan.

Yury Pilipson, drejtor i Departamentit të Dytë Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, ka deklaruar për agjencinë shtetërore TASS se bashkëpunimi Zagreb–Tiranë–Prishtinë përbën, sipas tij, një faktor destabilizues në rajon.

“Krijimi i një kuaziblloku ushtarak të përbërë nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova është një shembull tjetër i politikës së NATO-s për militarizim të përshpejtuar”, ka deklaruar Pilipson.

Ai ka thënë se Moska ndan shqetësimet e Beogradit, i cili bashkëpunimin mes tri vendeve e ka cilësuar si të orientuar kundër Serbisë.

Sipas diplomatit rus, krijimi i një “boshti të mbyllur Zagreb–Tiranë–Prishtinë” mund t’i tensionojë më tej marrëdhëniet në rajon.

Pilipson ka përmendur si shqetësim të Moskës bashkëpunimin në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, prokurimet e përbashkëta ushtarake, rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura dhe shkëmbimin e të dhënave.

Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kishin nënshkruar më 18 mars 2025 në Tiranë një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Dokumenti parashikon bashkëpunim në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, industrinë ushtarake, trajnime dhe ushtrime të përbashkëta, luftimin e kërcënimeve hibride dhe rritjen e ndërveprueshmërisë.

Megjithatë, deklarata nuk krijon një aleancë formale ushtarake dhe nuk përmban detyrim për mbrojtje të përbashkët apo ndërhyrje automatike ushtarake.

Related Articles