Nuk janë të pakta rastet kur krijohen mosmarrëveshje në shkolla mes nxënësve. Format e mosmarrëveshjeve varijojnë nga ofendimet, kanosjet, përleshjet e deri tek rastet më të rënda si therrjet dhe vrasjet.
Ngjarjet e fundit në rajon e më gjerë kanë bërë që siguria në shkolla të diskutohet mjaft shumë. Të dhënat e fundit rreth rasteve te raportuara dhe incidenteve të regjistruara, si dhe vlerësimin e sigurisë në shkolla nga institucionet dhe psikologët, e sjell në vijim Gazeta Enigma.
Numri i rasteve që raportohen në polici për mosmarrëveshje e përleshje të ndryshme është i konsiderueshëm. Policia e Kosovës, ka treguar për Gazetën Enigma numrin e incidenteve të raportuara në shkolla dhe ambienteve përreth tyre gjatë vitit që lam pas, dhe dy muajt e parë të vitit 2023.
Sa i përket vitit 2022, Policia e Kosovës ka deklaruar se janë regjistruar 592 raste të incidenteve të ndryshme në shkolla dhe përreth. Prej tyre: 148 raste janë regjistruar si lëndim i lehtë trupor, 14 raste me lëndime të rënda trupore, 14 raste janë regjistruar për posedim të armës së zjarrit, ndërsa 69 raste për posedim të armës së ftohtë. Gjithashtu janë regjistruar edhe 4 raste për posedim të sendeve të rrezikshme, njofton Policia e Kosovës. Në raportin e tyre tutje theksohet se janë regjistruar 59 raste të kanosjes dhe 46 raste të sulmeve.
Në të dhënat që Policia e Kosovës ka ofruar për Gazetën Enigma, për muajin janar dhe shkurt të vitit 2023, theksohet se janë regjistruar gjithsej 92 incidente dhe raste të dhunës në shkolla. Prej tyre, 32 raste janë lëndim i lehtë trupor, 1 lëndim i rëndë trupor, 4 raste të posedimit të armës së ftohtë ndërsa nuk është regjistruar asnjë rast i posedimit të armës së zjarrit, teksa është regjistruar vetëm 1 rast i posedimit të sendeve të rrezikshme. Policia tutje njofton se janë regjistruar 9 raste të kanosjeve dhe 6 raste të sulmeve.
Në një përgjigjie të Policisë së Kosovës për Gazetën Enigma, theksohet se, Policia e Kosovës, me njësitë e saj në vazhdimësi po punon për ruajtjen e rendit dhe menaxhimin e sigurisë publike në vend dhe se qëllimet kryesore që policia ka synuar dhe synon t’i arrijë ndër të tjera janë krijimi i një klime më të sigurt për nxënësit, personelin arsimor në të gjitha nivelet arsimore, bashkërendimi i aktiviteteve ndër-institucionale, parandalimi dhe zvogëlimi i incidenteve në shkolla si dhe objektet në rrethinën afër shkollave.
Po ashtu planet operative parashohin parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar si dhe marrjen e masave ndaj personave që nuk janë nxënës, e që sillen afër shkollave dhe në hapësirat e shkollave.
Policia e Kosovës në fillim të çdo viti shkollor harton dhe aktivizon Plane Operative me qëllim të parandalimit të dukurive negative në shkolla dhe ngritjes së nivelit të sigurisë. Po ashtu edhe nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventive në vazhdimësi realizohen projekte të ndryshme sensibilizuese dhe parandaluese në shkolla, njofton tutje Policia e Kosovës për Gazetën Enigma.
Duke parë numrin e rasteve të incidenteve të raportuara në Policinë e Kosovës, Gazeta Enigma ka biseduar me specialisitin e Psikologjisë Klinike dhe Psikotoerapisë, Imri Zabelin.
I pyetur sa e vlerëson se janë të sigurtë nxënësit në shkolla, Zabeli është përgjigjur se “Siguria e nxënësëve vlerësoj që është lehtësisht e cenueshme, marrë parasysh që mungon një sistem i unifikuar i shumë institucioneve që do duhet ta mbronin sigurinë e nxënësëve”.
Bazuar në faktin se ka një mungesë të theksueshme të psikologëve në shkolla, Zabeli është pyetur se si e vlerëson mungesën e psikologëve në shkolla në raport me sigurinë e nxënësëve, ku ka deklaruar se: “Prania e psikologeve nuk është përcaktues për sigurinë e nxënësëve, psikologët ndër të tjera janë lehtësues të komunikimit me nxënësit, ku nxënësit do të mund të i shprehnin shqetësimet dhe kërcënimet pa pasur frikën që do ju keqpërdoren informatat.”
“Psikologët shpesh mund kenë të vështirë që të adresojnë këto shqetësime të nxënësëve, në mungesë të një sistemi të qëndrueshëm dhe multidiciplinarë për evidentimin dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në shkolla. Nëse zinxhiri i nevojshëm institucional për sigurinë e nxënësëve në ndonjë segment nuk funksionon, atëherë kjo do ta rrënoj besimin dhe gatishmërin e nxënësëve për të ngritur shqetësimet që kanë”, ka theksuar tutje Zabeli.
Në lidhje me atë se cilat mund të jenë masat e duhura për parandalimin e këtyre mosmarrëveshjeve, përfshirë bullizmin, kërcënimet, përleshjet dhe rastet edhe më të rënda si rrahjet dhe therrjet, Zabeli ka deklaruar se: “Në secilën shkollë duhet të instalohen programe kundër dhunës dhe bullizmit. Programet kundër dhunës dhe bullizmit kanë të integruara hallkat e rëndësishme për parandalimin dhe adresimin e dhunës dhe bullizmit në mjedisin e shkollës. Këto hallka janë, nxënësit, mësuesit, udhëheqësit e shkollës, prindërit, policinë në bashkësi, komuniteti rreth shkollës (bizneset dhe transportin), OJQ dhe klubet e ndryshme jo formale”, ka thënë për Gazetën Enigma, psikologu Imri Zabeli. /GAZETA ENIGMA/