Saga me Projektligjin e Pagave, çmimet ekstreme – pagat e pandryshueshme

Saga me Projektligjin e Pagave, çmimet ekstreme – pagat e pandryshueshme

Derisa vendi po ballafaqohet çdo ditë e më shumë me rritjen ekstreme të çmimeve të produkteve bazike, siç janë mielli e vaji, institucionet kosovare tash e disa vite po e prolongojnë votimin e Projektligjit për Paga, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ndonëse po kërkohet nga partitë politike votimi i këtij projektligji, partia në pushtet, LVV, ende s’e ka dorëzuar në Kuvendin pakon e projektligjit, pasi siç kanë thënë ata janë duke e shqyrtuar atë nëse ka ndonjë ngecje që do ta dërgonte këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.
 
Ekonomisti, Safet Gërxhaliu për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se nevoja për miratimin e këtij ligji është imediate, porse sipas tij duhet të filtorohet para se të kaloj në Kuvend.  



“Është koha kur institucionet duhet të kenë një qasje më proaktive për faktin që jemi duke u sfiduar nga kriza botërore, dhe po e shohim që në botë por edhe në Kosovë, kemi një ngritje të çmimeve në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa pagat janë të ngrira është një dëm që po i shkaktohet aspektit social”, ka thënë ai.

“Dua të besoj që do të bëhet një dialog, dhe aty ky ka ngërçe të zgjidhen ato me qëllim që të mendohet më tepër për qytetarët dhe aspektin social në Kosovë”, shtoi ai.

Nëse ky ligj nuk miratohet, sipas Gërxhaliut vendi do të ndodhët para një trazire sociale.

“Është një diskrepancë mes çmimeve dhe realitetit dhe nuk duhet Kosova të hyjë në një situatë të rrezikshmërisë ku ndoshta trazirat sociale të kthehen në pikën fillestare. Deputetët e Parlamentit duhet të ngrihen mbi interesat e partive politike, të mendojnë për shtet dhe për qytetar, dhe të avancohet tutje ligji i pagave dhe të votohet në parlament sa më shpejt që është e mundur, duke kaluar në filtrat institucional që të jetë në funksion të shtetit dhe jo barrë e shtetit”, theksoi tutje ai.

Haradinaj: Të miratohet Ligji për Paga, po rrezikohet krejt sektori publik

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi të hënën miratimin e Ligjit të Pagave, duke thënë se institucionet po e rrezikojnë krejt sektorin publik, por edhe qytetarët.

“Nëse ne nuk e përcjellim trendin e rritjes lineare që është një mandat 4-vjeçar mbi 20% ta fuqizojmë me këtë ligj. Jemi kah e rrezikojmë krejt sektorin publik në Kosovë. Institucionet nuk po e rrezikojnë vetëm administratën, ose vetëm arsimin e shëndetësinë, por po e rrezikojnë direkt qytetarin, për shkak se ai është përfitues i këtyre shërbimeve”.

Ai tha se me gjendjen aktuale do të ketë varfërim të sektorit privat dhe kualitet më të dobët në shërbime.

“Problemi ka me qenë që me kalimin e kohës jo vetëm që do të varfërohen këta që janë në sektor publik, sepse janë rritur çmimet e po ndodh rritja e kostos së jetës, por problemi do të jetë shumë më i madh, pra përpos demotivimit, kjo do të jep kualitet më të dobët në shërbim, pra cilido shërbim do të bjerë në cilësi”.

“Por, jo vetëm kaq. Do ta humbim kuadrin, cilido kuadër i nivelit të mirë do ta ketë problem ta vazhdojë besnikërinë e vet ose përcaktimin e tij me qenë shërbyes publik për shkak të ofertës në treg ose për shkak të ofertës që i japin edhe palët e tjera, si rasti i vendeve të BE-së e i ekonomive të tjera”.

Diskrepanca në Ligjin për Paga

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani për Gazetën “Enigma” ka thënë se tentativa për ta aprovuar ligjin për paga është diskriminuese. Kjo pasi sipas tij fokus i këtij ligji është sektori publik, e jo edhe ai privat.

Ligji për paga, nuk është ligj për qytetaret por është ligj i cili përfshinë vetëm punëtorët e shtetit, dhe ky ligj përfshin rreth 90 mije punëtorë që punojnë për shtetin dhe sektorin publik shtetëror, pa përfshi rreth 1.200 milion punëtor në shtetin e Kosovës që po duan t’i lënë nën mëshirën e pronarëve privat”, theksoi ai.

Sipas tij  ky ligj po bëhet për t’i përmbushur apetitet e partive politike.
Ndërkohë Kryeministri i vendit, Albin Kurti javën e kaluar iu përgjigj kritikave se nuk po e dërgon në Kuvend Projektligjin e pagave.

Kurti tha se nuk është e kollajshme të hartohet mirë dhe shpejt një projektligj i tillë dhe jemi duke u angazhuar për këtë gjë. “Ne po përgatitemi që të kemi një Ligj për pagat, që me të vërtetë është ligj dhe që nuk bie ndesh me infrastrukturën legjislative, me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Përgjithësisht është besimi ynë se në një shtet e shoqëri, rritja e pagave kurrsesi nuk duhet të ndjek arbitraritetet politike të qeverive aktuale, por produktivitetin brenda rritjes ekonomike”, ka thënë ai.

Në anën tjetër të pakënaqur me përmbajtjen e këtij ligji, tashmë disa herë radhazi janë shprehur nga SBASHK-u, të cilët pakënaqësitë e tyre i kanë shprehur edhe përmes protestave. /Gazeta Enigma.

Related Articles