Më 15 shtator FC Malisheva njoftoi për shkarkimin e trajnerit Arsim Thaçi pas humbjes 4-2 nga Prishtina.
Katër ditë më vonë më 19 shtator, FC Malisheva njoftoi se kishte arritur marrëveshje bashkëpunimi me trajnerin Sami Sermaxhaj, shkruan Gazeta Enigma.
Në gjashtë ndeshje nën udhëheqjen e trajnerit Sami Sermaxhaj Malisheva ka marrë një fitore, dy barazime dhe tri humbje.
Ndeshjen e radhës Malisheva e pret në shtëpi Trepçën ’89 në kuadër të xhiros së 14-të në Superligë.
Trajneri Sami Sermaxhaj në një intervistë për Gazetën Enigma, ka treguar se pse ka vendosur që t’i bashkohet FC Malishevës në një situatë jo të mirë. Ai po ashtu ka treguar cilat janë synimet e tij me këtë klub.
Trajneri Sami Sermaxhaj tregon se si arriti marrëveshje me pronarët e klubit që t’ marrë drejtimin e Malishevës.
“Të them të drejtën pronarët e klubit nuk i kam njohur, por përmes një mikut tim, ai i ka njohur shumë mirë dhe më ka prezantu te ta, marrëveshja ka qenë me një bisedë shumë të shkurtër dhe kam hasur në mirëkuptim dhe mbështetje të plotë prej tyre në ofrimin e të gjitha kushteve që janë të domosdoshme që ekipa më përformu edhe në aspektin e organizimin e seancave stërvitore, por edhe të zhvillimit të ndeshjeve me qenë në ato mundësitë e mundshme që i ka klubi i Malishevës”, tregon Sermaxhaj i cili thotë se ka marrë mbështetje të plotë dhe iu kanë ofruar të gjitha kushtet që ta ushtrojë zejën e trajnerit te Malisheva.
Ai ka zbuluar se cila ka qenë arsyeja që e ka shtyrë atë ta marrë drejtimin e Malishevës në një kohë kur ky klub ishte në krizë të rezultateve.
“Mua më së shumti që më ka shty me e marrë drejtimin e Malishevës ka qenë një grup i lojtarëve të cilët i njohë paraprakisht. Domethënë i njohë mirë dhe kam njohuri për përformancat e tyre edhe të mëhershme edhe të tanishme. Domethënë grupi i lojtarëve ka qenë krucial që kam mendu që me këtë grup të lojtarëve ne mund të tejkalojmë një krizë që ka qenë momentale dhe t’i kthehemi rezultateve që i kërkon klubi”, ka zbuluar për Gazetën Enigma trajneri Sami Sermxhaj.
49-vjeçari thotë se jo të gjithë trajnerët e kanë mundësinë e zgjedhjes së klubit në fillim të sezonit.
“Zakonisht ndryshimet në klube bëhen kur ka mungesë të rezultateve kur ato pastaj shoqërizohen me diskrepancë mes stafit udhëheqës të ekipit dhe udhëheqësisë së klubit, zakonisht në qat kohë vijnë deri te ndryshimi. Ne jemi në këtë profesion dhe nuk e kemi lluksin gjithmonë të zgjedhim situatat kur me e marrë me udhëheqë ekipin”, thotë ai.
Ish-trajneri i Drenicës thotë se fillimin e ka pasur të vështirë me Malishevën, pasi nga gjashtë ndeshje, katër prej tyre i kanë luajtur si mysafir. Mirëpo ai ka besim se do të bëhen ndryshime pozitive në klub.
“Ka qenë shumë e vështirë, pasi lojërat e para kanë qenë me Ballkanin dy lojë, më shumë lojë kemi pasur jashtë Malishevës sesa në Malishevë, nga gjashtë lojë vetëm dy i kemi luajtur si vendas edhe në ato s’kemi mundur të marrim rezultat pozitiv, tjerat i kom pasur jashtë Malishevës. Ka qenë një situatë jo e favorshme, por zakonisht ndryshimet bëhen në situata jo të favorshme”, shprehet Sermaxhaj.
Sermaxhaj nuk është i kënaqur me fondin e lojtarëve që e ka gjetur te Malisheva, megjithatë i vlerëson maksimalisht lojtarët e tij për të cilët thotë se e japin maksimumin si në stërvitje ashtu edhe në lojëra.
“Në asnjë klub ku kam shkuar nuk kam gjetur më pak lojtarë sesa në Malishevë, po ata lojtarë që janë gjithë kanë treguar përformanca maksimal, përkushtim maksimal edhe në stërvitje edhe në lojëra. Kemi pasur edhe probleme tjera me lëndime, ndaj Drenicës na kanë munguar pesë lojtarë, dy për shkak të kartonëve, dy për shkak të lëndimit, një ka pasur rast vdekje. Në asnjë lojë nuk kemi mundur të luajmë me përbërjen më të mirë që e ka Malisheva, qoftë për shkak të lëndimeve, qoftë për shkak të kartonëve”, thotë Sermaxhaj i cili thotë se deri tani asnjëherë nuk e ka pasur ekipen e kompletuar për shkak se në sëcilën ndeshje ka pasur mungesa për shkak të kartonëve ose lëndimeve.
“Sa i përket qasjes dhe angazhimit të tyre janë shumë i kënaqur. Ndërsa sa i përket ndërtimit të një modeli të lojës se çfarë pretendojmë, mendoj që është proces dhe e kërkon kohën e vet deri të ajo që parashohim të arrijmë me këtë ekip”, thotë ish-trajneri i Ballkanit i cili kërkon kohë për ta implemtuar stilin e lojës së tij me Malishevën.
Synimi i Sermaxhajt me Malishevën në këtë sezon është mbetja në Superligë pa barazh.
“Në bisedë e sipër kur jemi dakordu kemi thanë që Malisheva është një ekip i ri në Superligë, vitin e kaluar kanë mbijetu përmes barazhit, këtë vit ideja është që të përformojë stabil në Superligë, megjithatë nuk do të jetë aspak e lehtë, mirëpo, tasht për tasht jemi shumë të fokusuar në pesë ndeshjet që na kanë mbetur. Në momentin që përfundojnë këto pesë ndeshje do të ulemi dhe do të shohim se ku janë mundësitë për sezonen pranverore me intervenu në ndonjë pozitë që na bën neve me përformu më mirë edhe me i pas të qarta objektivat e klubit”, tregon Sermaxhaj për synimet që i ka në këtë sezon me Malishevën.
Sermaxhaj thotë se për Kupën e Kosovës do të mendojnë pas përfundimit të sezonit vjeshtor, pasi tani e kanë fokusin në pesë ndeshjet e fundit para fillimit të Botërorit “Katari 2022”.
“Kupa është një objektiv jo vetëm për Malishevën, sigurisht edhe për klubet tjera si një garë që më pak lojë jep mundësi të mdhaja. Kupa është si objektiv të dytë që e kemi pas Superligës, njëherë jemi të fokusuar në pesë ndeshjet e mbetura të Superligës, pastaj do të ulemi e do t’i ridestinojmë objektivat e klubit”, thotë Sermaxhaj.
Krejt në fund Sami Sermaxhaj i premton tifozëve të Malishevës se do ta japin maksimumin duke bërë paraqitje dinjitoze në mënyrë që të marrin rezultate pozitive.
“Unë i premtoj të gjithë qytetarëve të Malishevës, mendoj që meritojnë një përformancë shumë dinjitoze të ekipit të Malishevës dhe unë iu premtoj atyre që angazhimi edhe përformimi si ekip do të jetë në kufijtë maksimal. Pastaj rezultatet shpresoj që të vijnë si pasoj e punës dhe angazhimit. Por asnjëherë nuk preferoj të premtoj rezultat momental. Është një proces që dëshiroj me ia lënë kohës edhe koha do të tregoj që ekipi i Malishevës do të ketë ngritje, sidomos në sezonen pranverore. Ngritje të cilësisë së lojës, angazhimit, fokusimit të të gjithë lojtarëve me përkushtim edhe më të madh se deri tani”, përfundon Sami Sermaxhaj.
Malisheva pozicionohet në vendin e shtatë me 12 pikë pas 13 xhirove./GAZETA ENIGMA/