SBASHK: Qeveria Kurti ka qenë kundërshtare dhe gati armiqësore karshi mësimdhënësve

SBASHK: Qeveria Kurti ka qenë kundërshtare dhe gati armiqësore karshi mësimdhënësve

SBASHK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot është mbajtur një diskutim për gjendjen e krijuar në Kosovë të punëtorëve të arsimit dhe anëtarëve të sindikatëve të tjera.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se qeveria Kurti jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar dhe përkrahur sindikatat në Kosovë, por ka qenë kundërshtare e tyre dhe gati armiqësore karshi kërkesave të mësimdhënësve dhe punonjësve tjerë në Kosovë.

I pranishëm me diskutime në këtë tryezë ishte edhe dejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, i cili tha se Ministria e Financave nuk e ka vetëm rolin e ndarjes së buxhetit në Kosovë, por edhe krijimin e politikave për zgjidhjen e kërkesave të sindikatave dhe punonjësve, në këtë rast të arsimit.

Kurse Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se nëse nuk veprohet për ndryshimin e Ligjit të Pagave, IKD do të iniciojë padi në emër të 84 mijë shërbyesve civilë.

 “IKD do të iniciojë padi në emër të 84 mijë shërbyesve civilë të prekur nga kjo situatë”, tha ai.

Në komunikatën e SBASHK thuhet se pakënaqësitë e tyre i shprehën edhe përfaqësuesit e disa sindikatave tjera në Kosovë si ai i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, përfaqësuesi i Sindikatës së Energjetikës së Kosovës, Avni Grajçevci, ai i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi etj.

SBASHK ka njoftuar se të pranishëm në diskutim ishin edhe disa nga kryetarët e Sindikatave Komunale të Arsimit (SKAP) dhe anëtarë tjerë të SBASHK-ut. Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë nxjerrë konkluzione në formë të një strategjie për angazhime të përbashkëta të sindikatave në Kosovë duke forcuar solidaritetin mes tyre në përballje me cilëndo sfidë të kohës.

Related Articles