SC Gjilani dënohet edhe nga Komisioni Disiplinor i FFK-së

SC Gjilani dënohet edhe nga Komisioni Disiplinor i FFK-së

Ekipi i SC Gjilanit është dënuar të enjten nga Komisioni Disiplinor i FFK-së, pas incidentit në ndeshjen ndaj Ballkanit, raporton Gazeta “Enigma”.

Gjilani dënohet me 3 (tri) ndeshje zyrtare pa praninë e shikuesve si dhe jashtë fushës së stadiumit të qytetit në Gjilan.

Kujtojmë se ndeshja mes SC Gjilani dhe FC Ballkanit në kuadër të javës se 27-të në Superligën e Kosovës në futboll është ndërprerë në sekondat e fundit pasi që dy shikues e sulmuan portierin e Ballkanit Stivi Frashërin.

Rezultati i ndeshjes ishte i barabartë në ato momente, 1-1.

LEXO EDHE: Stivi Frashëri i kishte provokuar tifozët e Gjilanit duke i gjuajtur me gjësende (VIDEO)

Tashmë Komisioni i Garave për Superligë ka vendosur që kjo ndeshje e ndërprerë të regjistrohet me rezultatin 0:3 në favor të FC Ballkanit.

Vendimi i plotë i FFK-së:

SC ”Gjilani”. Lëshim në organizimin e ndeshjes Gjilani – Ballkani zhvilluar me 03.04.2022 në stadiumin e qytetit në Gjilan. Në minutën e 90+4, pas barazimit të rezultatit nga ana e vendasve, një numër i shikuesve nga tribuna futen në fushë për të festuar golin e barazimit, dy nga të cilët sulmojnë fizikisht portierin e ekipit mysafir me nr fanelle 77 Stivi Frashëri duke i rrezikuar shëndetin. Lojtarit të sulmuar i është dhënë ndihma e parë në fushën e lojës, pastaj me autoambulacë është transportuar për në spitalin e qytetit. Për shkak të paaftësimit të lojtarit mysafir si rezultat i sulmit nga shikuesit, gjyqtari kryesor duke implementuar rregulloren e garave, në minutën 90 +4 e ka ndërprerë ndeshjen. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Gjilani – Ballkani . Bazuar 53 paragrafi 1 pika B i Rregullores disiplinore: Dënohet me 3 (tri) ndeshje zyrtare pa praninë e shikuesve si dhe jashtë fushës së stadiumit të qytetit në Gjilan. SC ”Gjilani” ndeshjet mund t’i zhvillojë në terrenin me bari sintetik në Gjilan ose në stadiumet tjera ku klubi dhe shtabi teknik vendosin./ Gazeta Enigma.

Related Articles