Selakoviç në OKB: Prishtina dëshiron zhdukjen e serbëve nga Kosova

Selakoviç në OKB: Prishtina dëshiron zhdukjen e serbëve nga Kosova

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, ndërsa po raporton para Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka folur për një mori çështjesh, të cilat sipas tij janë probleme me të cilat Serbia dhe qytetarët e saj po përballen në raport me Kosovën.

“Nëse tani nuk i definojmë këto probleme dhe shkaqe ata do të kthehen dhe bëhen edhe më komplekse”, ka thënë Selakoviç, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit ku po shqyrtohet raporti i radhës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres rreth punës së UNMIK-ut.

Gjersa kryediplomati serb po fliste për dialogun Kosovë-Serbi potencoi se shteti i tij pret zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces të cilat duhet të jenë të harmonizuara me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.

Selakoviç, u ankua edhe për moslejimin e referendumit serb në Kosovë si dhe ndalimin e organizmit të zgjedhjeve të përgjithshme serbe në Kosovë.

“E para herë që nga 1999 që qytetarët u parandaluan të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Në kundërshtim me misionin e OSBE-së. Prishtina edhe njëherë dëshmoi karakterin e saj diskriminativ. Unilateralizmi është mënyra e tyre e të vepruarit”, ka shtuar ai.

Sipas Selakoviç dërgimi i njësitit special të Policisë së Kosovës për mbikëqyrjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitet për targa, tregoi se qëllimi i Kosovës “ishte frikësimi i serbëve në Veri”.

E ndërsa për Selakoviç, mos themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe deklarimet e Kosovës se një gjë e tillë nuk do të themelohet asnjëherë, vetëm sa e minon dialogun, por në të njëjtën kohë poshtëron edhe faktorin ndërkombëtar.

“Kjo ka për qëllim zhdukjen totale të serbëve në Kosovë”, ka shtuar ai.

Më tej ai ka bërë të ditur se Serbia do të vazhdojë të tërheq vëmendjen, siç e quajti ai, “ndaj problemeve në Kosovë”.

“Ne jemi të vendosur në respektimin e ligjit ndërkombëtar, dhe respektimin e rezolutës 12/44 dhe prezencën e KFOR-it si garantues i paqes dhe sigurisë”, ka përfunduar fjalimin e tij.

Related Articles