Senati amerikan ka konfirmuar Jeffrey Hovenier për ambasador në Kosovë.
Hovenier ishte emëruar për postin e ambasadorit të Kosovës nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden në korrik të këtij viti.
Ambasadori amerikan në Kosovë ditë më parë kishte thënë se pa normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, pa njohje të ndërsjellë, rajoni do të mbetet i bllokuar.
Kush është Jeffrey M. Hovenier?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e emëroi në korrik diplomatin Hovenier për postin e ambasadorit të Kosovës.
Ai është një diplomat karriere në Departamentin e Shtetit, i cili së fundmi ka shërbyer si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuata në Ankara të Turqisë.
Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.
Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.
Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.
Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier.
Nëse konfirmohet nga Senati amerikan, Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.
Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.