Serbia përmes strukturave të saj ka planifikuar eskalimin e situatës së sigurisë në veri të vendit tonë.
Në kuadër të atij plani, është provokimi me sulme nga eksponentë të krimit të organizuar të lidhur me strukturat e sigurisë dhe politike në Serbi ndaj Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it në veri.
Sipas planit, pjesë e targetit për sulm mund të bëhen edhe pjesëtarët e EULEX-it.
Mësohet se qëllimi i planit është përshkallëzimi i situatës përmes incidenteve të inskenuara të cilat do të çonin në një konflikt të hapur mes Policisë dhe KFOR-it në njërën anë dhe eksponentëve serbo-rusë në anën tjetër, ku këta të fundit shpresojnë në mbështetjen e elementëve ushtarakë nga Serbia përmes rrugëve ilegale në veri.
Për këtë qëllim, thuhet se Serbia ka rekrutuar grupe të rinjsh në veri, për përfshirjen në skenarët e saj.
Ata janë pjesë e grupit kriminal të ashtuquajtur “Severna Brigada”, e cila dyshohet për përfshirje në shumë aktivitete kriminale atje, përfshirë edhe djegien e veturave të serbëve të veriut.
Disa prej drejtuesve të saj kanë njohje personale me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, sikurse Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën “Mami” nga Zveçani.
Se KFOR-i dhe pjesëtarët e saj janë cak i këtyre grupeve tregon edhe veprimi i datës 26.08.2022, kur ata kishin monitoruar dhe fotografuar pikat statike të KFOR-it në veri, dhe i kishin publikuar të shoqëruara edhe me koordinata dhe sipas shtetit që i përkasin.
KosovaPress mëson se personat e përgatitur për t’i sulmuar institucionet e sigurisë së lartcekura janë:
Vladimir Radivojeviq i njohur me nofkën “Mami”.
“Mami’ ka njohje të drejtpërdrejta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Në takimin e Rashkës të mbajtur me datë 13.10.2021, pas fjalës së Vladimir Radivojeviq, presidenti serb iu kërkon diskutuesve të prezantohen, duke thënë se “atë e njoh” duke iu referuar “Mamit”.
Vladimir Radivojeviq “Mami” ka lidhje të shumta politike dhe me grupe të ndryshme kriminale në veri të vendit. Është pjesë e tifozëve “Delije” nga Zveçani.
Aleksandar Jevremoviq nga Leposaviqi, i cili është nipi i ish ministrit serb Goran Bogdanoviq, së bashku me pjesëtarin e VBA Marko Vukasinoviq drejton një grup personash në Leposaviq të cilët prezantohen edhe si “Mbrojtje Civile”, derisa veprojnë nga lokali “Mistik” në Leposaviq.
Uglesa Jarediq, ish komandant i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës për veri, i integruar nga strukturat e MUP-it, që muaj me parë ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës është i përfshirë në këto plane.
Ai më parë ka qenë edhe pjesë e Xhandarmerisë Serbe.