Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarit Millovan Bozhoviq, duke e dënuar me 7 muaj burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm” dhe për djegie të veturave në veri.
Shpallja e aktgjykimit është bërë të hënën nga gjykatësi Arben Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të njëjtit, në dënimin me burg do t’i llogaritët koha e kaluar në paraburgim.
I akuzuari Bozhoviq, u obligua për pagesën prej 100 euro për paushallin dhe procedurën gjyqësore, si dhe 100 euro për fondin e viktimave të krimit, ndërkaq viktimat nuk kane kërkuar kompensim pasuror.
Ndryshe, në seancën e kaluar i akuzuari kishte pranuar fajësinë pasi kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Sipas aktakuzës së 16 tetorit 2023, i pandehuri Millovan Bozhoviq ngarkohet se më 30 mars 2023 në Komunën e Zubin Potokut ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më shumë se 8 personave, turmë e cila në bashkëkryerje ka kryer një apo më shumë vepra penale të dënueshme deri në 5 vite burgim dhe atë veprat penale “Zjarrvënia” neni 322, par. 3 i KPRK-së, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” neni 356 i KPRK-së.
Aktakuza thotë se në rrugën “Luka Pridvorjanina” kanë djegur dy vetura, pronë të dëmtuarve Vladan Kovaqeviq dhe Djordje Sovrliq, ku si pasojë e tyre kanë shkaktuar dëme materiale të konisderueshme, me çka ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” nga neni 404, par.1 të KPRK-së.