Referendumi në Serbi është shpallur tashmë.
Më 16 janar të vitit të ardhshëm qytetarët serbë do të vendosin nëse janë pro ose kontra ndryshimeve në të ardhmen në Kushtetutën e shtetit të tyre.
Ata do të përgjigjen në pyetjen e referendumit nëse janë për konfirmimin e ligjit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?
Kur bëhet fjalë për ndryshimet e propozuara në Kushtetutë, ato i referohen pjesës për drejtësinë tash për tash. E tek to nuk pritet të përfshihet edhe heqja e preambulës, e cila Kosovën e parasheh pjesë përbërëse të Serbisë.
Këtë po e konsideron të papranueshme deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Sipas tij, është e patjetërsueshme që të ndryshohet e gjithë Kushtetuta dhe jo vetëm pjesë të caktuara të saj.
Kërkesën e shprehu publikisht edhe gjatë debatit parlamentar për ndryshimin e aktit më të lartë juridik.
Ajo s`u mor parasysh.
“Megjithatë, shumica parlamentare prej 244 deputetësh kanë refuzuar kërkesat e grupit tonë parlamentar (“Lugina e Bashkuar –SDA Sanxhak”) dhe kanë aprovuar aktin e ndryshimeve të Kushtetutës vetëm në pjesën e gjyqësorit, që do të thotë se me vetëdije të plotë po e vonojnë procesin e anëtarësimit në BE si pasojë e mosharmonizimit të aktit themelor të shtetit me regulativën juridike të BE-së”, theksoi Kamberi.
Krahas antarësimit në BE, Kamberi thotë se preambula e atillë Serbisë i paraqet probleme edhe në normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Edhe pse shumë autorë e konsiderojnë pa efekt juridik, si pjesë që nuk është e detyrueshme, qoftë për shkak të natyrës së saj tepër formale apo se në të nuk ka sanksione, qoftë sepse nuk konsiderohet normë juridike, Preambula e Kushtetutës gjithashtu paraqet pengesë për integrimin europian të Serbisë. Një preambulë e këtillë është pengesë serioze për normalizim të raporteve me Kosovën”, shtoi tutje Kamberi.
Të njëjtën gjë e potencon edhe gazetari shqiptar që punon në Serbi, Idro Seferi.
“Natyrisht se derisa të jetë kjo prembulë në Kushtetutën e Serbisë do të jetë e vështirë për vetë shtetin serb që të bëjë një marrëveshje me Kosovën pasi në cfarëdo forme të jetë marrëveshja përfundimtare, me apo pa ulëse në OKB, Serbia dhe Kosova duhet të kenë marrëdhënie bilaterale të drejtpërdrejta pas kësaj marrëveshje”, deklaroi Seferi.
Sidoqoftë, ky e sheh si të vështirë mbajtjen e një referendumi rreth kësaj çështjeje.
“Për Serbinë ndryshimet kushtetuese në këtë pikë do të nënkuptonin një referendum për marrëveshjen me Kosovën dhe rrjedhimisht heqjen ose jo të kësaj preambule nga Kushtetuta pasi marrëveshja do të konsiderohej si anti kushtetuese dhe në mungesë të një pranimi de facto dhe de jure, konflikti do të ngelej i hapur. Por, e shoh si një nga pjesët më të vështira pasi ka të bëjë me njohjen ose jo të pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, theksoi Seferi për “Front Online”, përcjellë “Gazeta “Enigma”.
Referendumit në Serbi për Kushtetutën më 16 janar 2022, qytetarët mund t`i përgjigjen nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 20:00./Gazeta “Enigma“/