Sërish anulohet renovimi i stadiumit të Gjilanit

Sërish anulohet renovimi i stadiumit të Gjilanit



Pas disa herëve të njëpasnjëshme sërish ka dështuar të nis renovimi i stadiumit të Komunës së Gjilanit, shkruan Gazeta Enigma.

Kjo u bë e ditur përmes vendimit të fundit të publikuar nga Zyra e Prokurimit në Gjilan.

Pa u specifikuar arsyet në vendim thuhet se “Pezullohet aktiviteti i prokurimit me titull “Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit”, dhe se “për hapat e tjerë të aktivitetit, do të njoftoheni me kohë”.

Kujtojmë se vitin e kaluar komuna e Gjilanit ka hapur tenderin për renovimin e stadiumit të qytetit.

Vlera e parashikuar e këtij projekti është 15 milionë euro dhe është bashkëfinancim midis komunës dhe Ministrisë së Kulturës.

“Qëllimi i këtij Memorandumi të Bashkëpunimit ( MB ) është mbështetja financiare për projektin në fjalë, i cili si pjesë e Planit 5-vjeçar të infrastrukturës së futbollit, do të implementohet dhe funksionalizohet gjatë viteve 2023-2028. Në bazë të Memorandumit midis Komunës së Gjilanit dhe MKRS-së me nr.prot.4894/2023 zhvillohet aktiviteti i prokurimit pasi është mbështetje financiare për projektin në fjalë. Afatet kohore për fillimin dhe/ose përfundimin e kontratës: në 24 muaj”, thuhet në njoftimin e KRPP-së.

Por ende nuk dihet nëse edhe pas 15 milionësh euro investime, ky stadium do të plotësoi kriteret e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve në arenat ndërkombëtare. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles