Serwer: Uashingtoni t’i japë fund përkëdheljes së Serbisë, të mbështesë përpjekjet e Kosovës në veri

Serwer: Uashingtoni t’i japë fund përkëdheljes së Serbisë, të mbështesë përpjekjet e Kosovës në veri

Të premten, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq njoftoi masat me të cilat synon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Profesori amerikan, Danier Serwer, në analizën e tij të fundit thotë se përkëdhelja e Serbisë nuk funksionon dhe as ndëshkimi i Kosovës nuk funksionon.

Uashingtoni duhet të rivendosë politikën e tij për Ballkanin në drejtime më koherente, thotë Serwer, i cili ka radhitur në disa pika se si mendon që kjo rivendosje e politikës duhet të bëhet:

  • Ai [Uashingtoni] duhet të mbështesë përpjekjet e Prishtinës për të qeverisur në mënyrë të barabartë në veri të Kosovës dhe të ndihmojë në planifikimin e lëvizjeve të ardhshme në atë drejtim.
  • Duhet t’i japë fund përkëdheljes së Serbisë, të kritikojë publikisht synimet irredentiste dhe antidemokratike të Vuçiqit dhe t’i jepet fund grumbullimit të lavdërimeve dhe parave për Beogradin.
  • SHBA duhet të inkurajojë rishpërndarjen e EUFOR-it në qytetin verilindor të Bosnjës, Brcko, ku do të përfaqësonte një pengesë serioze ndaj shkëputjes.
  • Uashingtoni duhet të insistojë që Bosnja të zbatojë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që do t’i jepnin fund politikës me bazë etnike të vendit.
  • Uashingtoni duhet të udhëheqë një përpjekje për të izoluar rusofilët e Malit të Zi nga informacionet e ndjeshme të NATO-s.
  • Ai gjithashtu duhet të paralajmërojë Maqedoninë se do të jetë e radhës nëse rusofilët atje mbeten në pushtet.

Serwer thotë se mënyrat se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ushtron sovranitetin në veri e shqetësojnë Perëndimin, por thotë se Kurti “pa mëdyshje” rreshtohet kah Perëndimi.

“Kosova, ku ndërrimi i pushtetit ka ndodhur disa herë, ka një kryeministër popullor, i cili ushtron autoritet sovran në veriun e Kosovës me shumicë serbe në mënyra që u japin shqetësime amerikanëve dhe evropianëve. Ata duan që ai të konsultohet dhe të marrë leje për çdo gjë që bën që mund të shqetësojë ose serbët e Kosovës ose Beogradin. Ai nuk ka qenë i gatshëm ta bëjë këtë. Por kryeministri Kurti gjithsesi rreshtohet pa mëdyshje me Perëndimin. Ai nuk ka alternativë”.

Related Articles