Në Komunën e Prishtinës deri më tani janë vaksinuar 72 për qind e mësimdhënësve dhe personelit mbështetës të shkollave.
Derisa kanë mbetur edhe një javë deri te fillimi i vitit të ri shkollor, drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Shpresa Shala, fton të gjithë mësimdhënësit që të imunizohen kundër COVID-19 në mënyrë që mësimi të nis me prezencë fizike në shkolla.
E para e Arsimit në Prishtinë tregon se kanë bërë të gjitha përgatitjet për të nisur mësimin me 13 shtator, përfshirë edhe dezinfektimin e shkollave, pajisjen me dezinfektues e me mjete të tjera mbrojtëse.
Ajo shprehet e bindur se edhe pjesa e mbetur e mësimdhënësve të Prishtinës deri në fillimin e vitit të ri shkollor do të marrin të paktën dozën e parë të vaksinës ant-COVID-19.
“Deri më 1 shtator ka qenë 68 përqind me dy doza të vaksinuar, një pjesë e kanë pasur edhe vaksinën e parë, tani më jemi me 72 për qind, mirëpo për një moment ndoshta për shkak të mungesës së vaksinave përveç ata që kanë pasur termine janë vaksinuar, kurse presim që tash me ardhjen e vaksinave sigurisht që do të bëhen terminet dhe do të vazhdojë vaksinimi edhe për këtë pjesën tjetër. Po besoj që deri më 13 shtator së paku një dozë të gjithë mësimdhënësit qind për qind do ta marrin mësimdhënësit dhe stafi mbështetës i shkollave”, thotë ajo në një intervistë për KosovaPress.
Shala thotë se të gjitha shkollat e Prishtinës kanë qenë të gatshme që mësimi të nis edhe me 1 shtator, pasi që kanë përfunduar të gjitha përgatitjet.
“Si DKA kemi bërë përgatitjet edhe për fillimin me 1 shtator, do të thotë kemi qenë të gatshëm për shkak se të gjitha kontratat të cilat kanë të bëjnë me pajisjen e shkollave qoftë me materiale higjienike, dezinfektues, materiale didaktike kanë qenë të nënshkruara me kohë. Kështu që, shkollat veç janë pajisur me të gjitha këto gjëra. Ka qenë sfidë ndoshta pranimi i stafit i cili ka përfunduar edhe ai, veç kanë dalë rezultatet e rekrutimit të mësimdhënësve, kështu që jemi gati për të filluar tani më”, thotë Shala.
Përderisa fillimi i vitit të ri shkollor është shtyrë për shkak të numrit të lartë të rasteve me COVID-19, Shala potencon se si komunë janë të gatshëm të punojnë me skenarët siç kanë qenë edhe vitin e kaluar, por që preferojnë më shumë kthimin e plotë në shkolla.
Pavarësisht kësaj, Shala shton se efikasiteti dhe cilësia është shumë më e mirë nëse kthehen në objektet shkollore të gjithë nxënësit dhe mësimi do të mbahet si në kushte normale.
“Dëshira të themi e të gjithë mësimdhënësve edhe një pjesë e prindërve të cilët i kemi pasur mundësi t’i takojmë është që të kthehen me prezencë fizike të gjithë në shkollë. Normalisht që kur do të ketë raste ne prapë do t’i përfillim rekomandimet e IKSHPK-së. Kemi kushte nëpër shkollat e Prishtinës sepse tani më 70 përqind e klasave të komunës së Prishtinës i kanë pajisjet e internetit në klasë. Do të thotë mund të kyçen nga klasa kurse një pjesë e nxënësve mund t’i ndjekin nga shtëpia. Jemi të gatshëm për të gjitha llojet e skenarit, mirëpo normalisht që efikasiteti dhe cilësia është shumë më e mirë nëse kthen të gjithë nxënësit në klasa dhe të jetë ora ashtu siç ishte planifikuar 45 minutëshe”, thotë ajo.
Drejtoresha Shala thotë se do të japin maksimumin që gjatë këtij viti shkollor nxënësit të marrin njohuritë e duhura, e për këtë fton edhe prindërit, nxënësit që të kontribuojnë në respektimin e masave anti-COVID në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura.
“Është e vërtetë që tashmë një vit e gjysmë nxënësit nuk e kanë marrë atë çfarë është dashur të marrin dhe nuk kanë arritur rezultate të cilat janë të planifikuara për gjendje normale. Mirëpo, këtë vit besoj që do të japim maksimumin pasi që kemi një përvojë dhe e dimë çka funksionon dhe çka nuk funksionon, të japim maksimumin bashkë si DKA, me stafin e shkollave, mësimdhënësit, menaxhmentin e shkollave që t’iu ofrohet më e mira nxënësve”, thotë ajo.
Viti i ri shkollor do të nis me 13 shtator, pasi që MASHTI ka shtyrë fillimin e vitit të ri shkollor pas numrit të lartë të rasteve me COVID-19 në vend.