Xherdan Shaqiri nuk e ka fshehur kurrë dashurinë që ka për vendin e tij të lindjes – Kosovën, derisa ka thënë në një intervistë për KTV-në se goli ndaj Serbisë është më i veçanti në jetën e tij.
“Kam pasur shumë momente të mira në karrierën time. Jo vetëm me tituj, por edhe me përvoja dhe stërvitjet me trajnerë të mëdhenj në botë. Por goli ndaj Serbisë është special në jetën time, pasi ka qenë një ndeshje me shumë emocione dhe siç e dimë ne historinë, mund të them se ka qenë shumë special goli i shënuar ndaj Serbisë. Është moment i madh në karrierën time”, tha Shaqiri.
Shaqiri shënoi golin që do të mbahet mend gjatë. Zvicra me golin e tij fitoi 2:1 ndaj Serbisë. E festoi golin me shqiponjë, ashtu si Granit Xhaka që realizoi golin e parë.
Gjilanasi ka shtuar se Kosovën e ka në zemër. Por Shaqirit do t’i duhet të luajë kundër Dardanëve.
“Është një ndeshje shumë emocionale për shumë lojtarë, jo vetëm për ne që kemi lindur në Kosovë, që janë me rrënjë nga Kosova, por edhe për lojtarët që luajnë për Kosovën që janë rritur në Zvicër”, shtoi Shaqiri.
“Është një ndeshje emocionale, por edhe shumë miqësore. Do të përballen dy shtete mike dhe do të jetë me shumë shikues në stadium dhe unë mezi pres ta luaj këtë ndeshje kundër Kosovës në një miqësore në Zuerich”.
Ai ka thënë se “do të jetë një lojë emocionuese për mua, sepse unë e dua shumë Kosovën. Unë kam lindur në Kosovë, e kam ende bindjen me Kosovën”.
“Në Kosovë kam shumë familjarë e shokë dhe vij shumë shpesh këtu. E dua Kosovën me zemër, ashtu si edhe Zvicrën”.
Kosova dhe Zvicra do të takohen për herë të parë në një ndeshje. E para, pra, do të jetë edhe për Shaqirin dhe për futbollistët e tjerë të ftuar te Zvicra e që janë me rrënjë nga Kosova – Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri.
Shaqiri, 30-vjeçar, thotë se ndeshja e Zvicrës me Kosovën do të jetë festive si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
Shaqa madje thotë se do të jetë historike. Ndeshja luhet të martën nga ora 18:00 në Zuerich. / Gazeta Enigma/