Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, i ka dorëzuar të marten, kryeministrit kosovar Albin Kurtit, Raportin e Progresit, për të cilin tha se jep rekomandime dhe rezultate nga puna e qeverisë.
Mes tjerash Szuyong theksoi përparimin e Kosovës në drejtim të disa reformave siç është lufta e korrupsionit dhe vendime përfundimtare në gjykata.
Tutje, ambasadori i BE-së foli edhe për procesin e dialogut dhe ecurinë e dy shteteve në këtë drejtim.
”Këtë javë ekspertët për çështjen e targave do takohen në Bruksel, dhe më duhet të them që BE e monitoron dialogun dhe varet nga Prishtina dhe Beogradi se si ata bien në dakord për shpejtësinë e negociatave” ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket kundërshtimeve të paraqitura në raport për procesin e Vettingut, Szuyong tha se vetëm kanë dhënë rekomandime për hartimin e këtij procesi.
“Nuk shoh kundërthënie në këto kërkesa dhe raporte, me deklaratën e lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Si BE nuk e vëmë në pyetje çështjen e luftës kundër krimit e korrupsionit. I bëjmë thirrje Qeverisë që të vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim” ka shtuar ai. /Gazeta “Enigma”/