58 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafiku nga janari deri në fund të korrikut të këtij viti në Kosovë. Në total janë regjistruar 13 mijë e 235 aksidente, ku 51 nga to janë aksidente me fatalitet, shkruan Gazeta “Enigma”.
Nga këto aksidente, 8 mijë e 329 janë “aksidente me dëme”, ndërsa 4 mijë e 855 janë “aksidente me lëndime”, 9 mijë e 286 persona kanë mbetur të lënduar nga këto aksidente.
Këto statistika i ka dhënë Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ku edhe kanë njoftuar se “për të ofruar siguri dhe kontroll më efikas në trafik, Policia e Kosovës ka hartuar dhe janë duke u zbatuar disa Urdhrat Operativ si “Siguria në Trafikun Rrugor” dhe “Sezoni Veror 2025”, dhe plane të tjera që kanë të bëjnë me mjete me dy rrota”.
Përveç këtyre Policia ka theksuar se janë duke realizuar edhe disa fushata të ndryshme për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.
“Po ashtu janë realizuar fushata të ndryshme, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve. Kanë vazhduar patrullimet me veturave me pajisje inteligjente “SmartPatrol” dhe radarë mobil me që rast aktivitetet policore kanë qenë të shtuara më shumë se 9% krahasuar me periudhën krahasuese 2024”, thuhet në përgjigjen e Policisë për “Enigmën”.
Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmetin, ka renditur disa nga faktorët më të shpeshtë që qojnë deri te aksidentet.
“Numri më i madh i aksidenteve ose faktori kryesor është mos respektimi i shpejtësisë së lëvizjes, pastaj vjen përdorimi i telefonit, pastaj kontrollet teknike nuk janë si duhet, gjendje teknike e rrugëve e kështu me radhë”, tha Ahmeti.
Tutje ai ka theksuar se zhvillimi i transportit publik është një mundësi që do të ndikonte më shumë në sigurinë në trafik dhe po ashtu do të ndikonte edhe në stabilizimin e qarkullimit të shumtë dhe eliminimin e kolonave.
“Komunikacioni nuk mund të rregullohet “ad-hoc” brenda dy ose tre muajve, sepse e ka edhe një kosto financiare dhe kohore ku duhet të mirën masa për stabilizim fillimisht, e një prej mundësive është zhvillimi i transportit publik, pastaj futja në përdorim të Inteligjencës Artificiale me radar mobil statik dhe kamera, identifikimi i zonave problematike rrugore ku vendosen pikat e zeza, ndriçimi i rrugëve, sinjalizimi i rreth rrotullimevedhe udhëkryqeve”, deklaroi Ahmeti për “Enigmën”.
Sipas ekspertit të komunikacionit “një prej faktorëve tjerë i fundit ndoshta por jo më pak i rëndësishëm është edhe vetëdijesimi i qytetarëve nëpërmjet aplikacioneve siç e kanë bërë edhe vendet e Bashkimit Evropian prej sistemit parashkollor deri në nivelin para universitar të iu shpjegohet për situatën në komunikacion, elementet më të rëndësishme të saj”.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi apelon tek të gjithë qytetarët që të respektojnë ligjin dhe rregullat e trafikut, për sigurinë e tyre dhe të tjerëve”.
Ndërsa Ahmeti iu apeloi qytetarëve që “të respektojnë rregullat e komunikacionit si dhe kufizimin e shpejtësisë, mos të përdorin telefonin gjatë vozitjes”.
Kujtojmë se gjatë kësaj periudhe Policia e Kosovës ka shqiptuar 448 mijë e 661 tiketa. /Gazeta Enigma/