Shkon në mbi 86 euro për MWh çmimi i energjisë, Rizvanolli e quan konkurrues

Shkon në mbi 86 euro për MWh çmimi i energjisë, Rizvanolli e quan konkurrues

Çmimi mesatar i energjisë së blerë nga Korporata Energjetike e Kosovës në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX, i cili ishte para dy dite 64.55 euro për MWh, sot ky çmim ka shkuar në 86.75 euro për MWh.

Me këtë çmim të kontraktuar do të furnizohen të hënën ndërmarrjet që kanë dalë në treg të hapur të energjisë pa kontratë furnizimi. 

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka cilësuar si konkurrues çmimin aktual.

“Këtu KEK siguroi energjinë elektrike për ndërmarrjet në treg të lirë, në ditën e parë të liberalizimit të tregut. Çmimi mesatar i energjisë së blerë për dje ishte 64.55 Euro për MWh, ndërsa sasia e blerë për sot është kontraktuar me çmim 86.75 Euro për MWh, që të dyja çmime konkurruese. ALPEX është një ëndërr e kahmotshme e realizuar për Kosovën. Mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve tona energjetike shfrytëzohet më së miri. ALPEX është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme për të mundësuar monitorim rigoroz e hetim në rast nevoje. ALPEX është vetë antidoti i ‘mafisë energjetike’ që me të vërtetë ka funksionuar gjatë në Ballkan e me gjasë funksionon ende – por nuk ka të bëjë aspak me Qeverinë Kurti”, ka shkruar ajo në Facebook.

Rizvanolli ka shtuar se numri i furnizuesve dhe konkurrenca mes tyre do të rritet në të mirë të konsumatorëve, sektorit dhe të gjithë ekonomisë. 

“Sa i përket konkurrencës në tregun e furnizuesve, në kohën kur u bë Ligji për Energjinë Elektrike që parasheh liberalizimin e tregut (2016), ishte vetëm një furnizues: KESCO. Sot janë 21 furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, prej të cilëve së paku 5 deklarojnë se janë aktiv e të gatshëm të japin oferta. E tash që janë – jo 3 – por 1300 konsumatorë në treg, numri i furnizuesve e konkurrenca mes tyre sigurisht që do të rriten, në të mirë të konsumatorëve, sektorit e gjithë ekonomisë. Bizneset tona gjithashtu kanë shumë për të mësuar në drejtim të operimit në treg të lirë e optimizmit të konsumit të energjisë elektrike. Këto mësime mund të duken të vështira tani, por ato duhet të mësohen sot në mënyrë që bizneset tona të jenë konkurruese në të ardhmen kur të jemi pjesë e tregut evropian të integruar të energjisë, me të gjitha mundësitë por edhe sfidat e veta me politika si ajo e çmimit të karbonit”, ka thënë ajo. 

Rizvanolli ka thënë se do të punohet për të mirën e konsumatorit. 

Related Articles