Shoferi i dehur shkakton vetaksident në Pejë, kërcënon dhe sulmon policin në stacion

Aksidentet që ndodhin në komunikacion jo rrallëherë bëhen mollë sherri për konflikte e përleshje qoftë mes pjesëmarrësve në trafik, apo edhe sulme e kërcënime ndaj Policisë, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave. Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në rrugën “Zahir Pajaziti” në Pejë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht kishte ndodhur një aksident, ku është përfshirë vetëm një veturë. Pas intervenimit të Policisë, shoferi i automjetit që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin derisa ishte në gjendje të dehur është shoqëruar në Polici, por edhe në stacion policor u fut në sherr.

Sinjali mëson se i dyshuari H.K., (22-vjeçar), përveç që s’ka lejuar t’i bëhet alkotesti, e ka kërcënuar seriozisht njërin nga zyrtarët policorë që po trajtonin rastin.

Për të mos mbaruar me kaq, i riu edhe e ka sulmuar të njëjtin polic, duke i shkaktuar lëndime, për çka i detyroi ata për ta vënë situatën nën kontroll.

Të njëjtat burime thonë se pas disa tentativave, të dyshuarit i është bërë testi që rezultoi se ishte në gjendje të dehur.

I njëjti është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndaj tij, është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Related Articles