Shotani i Drenicës kërkon fitore ndaj Ferizajt i cili është në krizë të rezultateve

Shotani i Drenicës kërkon fitore ndaj Ferizajt i cili është në krizë të rezultateve

Drenica e drejtuar nga trajneri Bekim Shotani në kuadër të xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës do të përballet me skuadrën e Ferizajt që po kalon në një krizë të thelle të rezultateve, shkruan Gazeta Enigma.



Ferizaj në pesë ndeshjet e fundit i ka katër humbje dhe një barazim, kurse Drenica ka arritur t’i marrë dy barazime, një fitore dhe dy humbje.

Aktualisht Drenica pozicionohet në vendin e pestë me 16 pikë, kurse Ferizaj në vendin e fundit me vetëm tetë pikë.

Trajneri i Drenicës, Bekim Shotani në një bisedë për Gazetën Enigma ka treguar se cili është synimi i tyre ndaj Ferizajt.

Shotani thotë se përveç lojës së mirë tani me rëndësi për ta janë edhe pikët.

Po mendoj që kemi hyrë në fazën e fundit të ciklit të  dytë të garave dhe po reflektojmë mirë. Tani janë me rëndësi pikët përveç lojës”, thotë fillimisht Bekim Shotani për Gazetën Enigma.

Vendi i fundit në tabelë për Ferizajn mund t’i mashtroj Drenicën, për këtë arsye Bekim Shotani kërkon 100 % nga lojtarët e tij në këtë ndeshje që të dalin të pamposhtur.

Përballja ndaj Ferizajt do të jetë një ndeshje e vështirë. Na duhet shumë motivim dhe koncentrim ndaj tyre. Pozita ku është Ferizaj mund të na mashtron, prandaj duhet të japim 100 % në fushë për të dalur të pa mposhtur”, shprehet 49-vjeçari.

Drenica i ka ndërmarrë të gjitha masat për këtë ndeshje duke e analizuar lojën e Ferizajt së bashku me stafin teknik dhe lojtarët.

Skuadrën e kam kompakte para përballjes ndaj Ferizajt, jemi të vetëdijshëm që na pret një ndeshje e vështirë, por shpresojmë që të dalim të pa mposhtur. Por gjithsesi kemi bërë analizën e lojës së bashku me stafin teknik dhe lojtarët dhe presim të bëjmë më të mirën ndaj tyre”, tregon Shotani për Gazetën Enigma.

Shotani krejt në fund ka folur edhe për lojën të cilën po e aplikon trajneri kroat i Ferizajt, Andrej Pandic.

“Trajneri që ka ardh e ka ndrru në kocenpt lojën e Ferizajt, ata po shfaqin siguri në mbrojtje dhe po luajnë me një mesfushë të ngjeshur me pasime të mesme dhe të gjata në thellësi dhe gjerësi të portës”, përfundon kryetrajneri i Drenicës.

Ferizaj – Drenica do të luhet të shtunën nga ora 13:00. Në këtë takim drejtësinë do ta ndajë Ilir Mehmeti, Edmond Zeqiri, Besnik Morina, kurse gjyqtar i katërt do të jetë CVigan Ibërdemaj, në var Mervan Bejtullahu.

Takimi i parë mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar pa fitues me rezultatin 0-0./GAZETA ENIGMA/

Related Articles