Shpërthimi në zonën e Zupçës në Zubin Potok tashmë po hetohet, ndërsa Prokuroria e Mitrovicës ka konfirmuar se janë duke punuar në identifikim të personave potencial të dyshuar.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni ka konfirmuar për kallxo.com se prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Policisë.
Gjithashtu për ngjarjen Prokuroria e Mitrovicës po punon edhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Ajo çka mund të konfirmoj është se pas ngjarjes prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Policisë, është në kontakt dhe bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale dhe Njësinë e Antiterrorit. Gjithashtu, është duke u punuar për identifikimin e personave të dyshuar” – tha Preteni.