“Shpresoj që peizashi i bukur i Ohrit të krijojë atmosferën e bukur për marrëveshje”

“Shpresoj që peizashi i bukur i Ohrit të krijojë atmosferën e bukur për marrëveshje”

Nga Bashkimi Evropian kanë dhënë detaje për takimin e sotëm mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq në Ohër.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë me dije se takimet e nivelit të lartë mes Kurtit e Vuçiqit do të nisin në orën 10:00

Para takimit, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, është takuar me presidentin e Maqedonisë së Veriut,  Stevo Pendarovski.

Borrell ka thënë se shpreson se “peizashi i bukur i Ohrit”, do të krijojë atmosferën e bukur për marrëveshje.

“Dhe dua t’ju falënderoj, dua t’ju falënderoj Maqedoninë e Veriut, për sigurimin e vendit të këtij takimi të rëndësishëm, [dhe] për mbështetjen tuaj të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe shpresoj se peizazhi i bukur i Ohrit do të krijojë atmosferën e bukur të nevojshme për të arritur një marrëveshje”, tha Borrell.

“Më lejoni, President, të kujtoj shkurt se ku jemi dhe ku duam të shkojmë. Tre javë më parë, në Bruksel, kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiç ranë dakord për propozimin e Bashkimit Evropian. Një propozim i paraqitur nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e fortë të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ata ranë dakord se ky propozim do të jetë rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre”, tha tutje Borrell.

Borrell përmendi se mes Kosovës dhe Serbisë ka histori të gjatë të marrëveshjeve që janë arritur e nuk janë zbatuar, por që kjo gjë duhet të ndryshojë.

“Ata gjithashtu ranë dakord që ne do të takoheshim përsëri së shpejti për të finalizuar aneksin e zbatimit. Një marrëveshje është e mirë, një rrugë zbatimi është më e mirë. Dhe ky takim për të cilin u dakorduam, do të mbahet nesër në Ohër, për të përcaktuar hapat praktik që duhet të ndiqen – në afate konkrete, çfarë duhet bërë, [deri] kur dhe si. Sepse ne kemi një histori të gjatë marrëveshjesh që nuk janë zbatuar kurrë. Vlera e shtuar e kësaj marrëveshjeje është se ajo duhet të jetë e zbatueshme. Dhe ne duhet të biem dakord se kur dhe si të zbatohet”, tha ia.

“Të dyja palët kanë dhënë komente për aneksin e zbatimit. Ne do të diskutojmë dhe do të prodhojmë një version të konsoliduar të Aneksit bazuar në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj, Kosova dhe Serbia do të jenë në gjendje të bien dakord për rezultatin përfundimtar të këtyre diskutimeve”, theksoi tutje Borrell.

“Ky aneks i zbatimit do të jetë pjesë integrale e Marrëveshjes për të ndarë një kuptim të qartë se si ne do të zbatojmë të gjitha dispozitat e tyre. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, zoti President, do t’i vendosim marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një rrugë të qëndrueshme, afatgjatë dhe të orientuar drejt së ardhmes, duke tejkaluar menaxhimin e përhershëm të krizës në të cilin kemi qenë muajt e fundit”, tha ai.

“Unë po shkoj në Ohër me shpresën se do të përballem me një mundësi unike për Kosovën dhe Serbinë për të ecur përpara dhe për të bërë përparim në normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Zoti President, në praninë tuaj, dua të nënvizoj se kjo mundësi duhet të përdoret – sepse askush nuk mund të përfitojë prej saj më shumë se sa njerëzit në Serbi dhe Kosovë, pasi askush nuk po përfiton nga reformat e nevojshme për të qenë pjesë e BE-së. Unioni, [aq sa edhe qytetarët e vendeve që janë sot kandidate. Dhe ka mundësi që nuk duhen humbur”, tha Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së tha gjithashtu se të hënën do t’i informojë ministrat e Jashtëm të BE-së për këtë takim.

“Të hënën do të informoj Ministrat e Jashtëm të BE-së [për këtë takim]. Udhëheqësit evropianë do të informohen të enjten dhe të premten. Sot, sytë e Bashkimit Evropian dhe të njerëzve të Ballkanit Perëndimor po shohin nga Ohri. Le të shpresojmë se do të kemi sukses”, tha Borrell. 

Related Articles