Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore me rezultat 3-0 në shtëpi ndaj Andorrës në kuadër të rrethit të dytë kualifikues për Botërorin e vitit 2026.
Si në posedimin e topit ashtu edhe në atë të krijimit të rasteve, të besuarit e Sylvinhos ishin superior ndaj kundërshtarëve.
Për t’i dhënë epërsinë Shqipërisë u përkujdes Rey Manaj i cili në minutën e nëntë realizoi me kokë për rezultatin 1-0.
Ai nuk u ndal më kaq dhe vetëm 10 minuta më vonë realizoi sërish, kësaj radhe pas asistimit të Armando Brojës për rezultatin 2-0.
Manaj pati një mundësi për të realizuar het-trik qysh në pjesën e parë, por portieri mysafir Iker Alvarez bëri një pritje për t’ia mohuar atë.
Në pjesën e dytë pati një rënie të ritmit të lojës nga Shqipëria dhe u duk sikur ata ishin të kënaqur me epërsinë që kishin krijuar nga pjesa e parë.
Megjithatë, në minutat e fundit të ndeshjes listës së golashënuesve iu bashkua edhe Myrto Uzuni i cili devijoi për mrekulli një top brenda zonës për rezultatin përfundimtar 3-0.
Kjo është fitorja e parë për Shqipërinë në këtë cikël kualifikues pas disfatës që pësuan në ‘Wembley’ me rezultat 2-0 ndaj Anglisë.
Pas kësaj fitore Shqipëria shkon në kuotën e tri pikëve dhe mban pozitën e dytë në tabelë, por është me pikë të barabarta me Letoninë e vendit të tretë.