Shqiptarët e Luginës ndihen të diskriminuar, kërkojnë lejeqëndrim 5-vjeçar

Shqiptarët e Luginës ndihen të diskriminuar, kërkojnë lejeqëndrim 5-vjeçar

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të dy qeverive arritën marrëveshje për leje të qëndrimit për qytetarët e të dyja shteteve.

Për t’u pajisur me këto leje për 5 vjet, mënyra e aplikimit është shumë e thjeshtë.

Por, nga kjo e drejtë po privohen shqiptarët e Luginës, ata të Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Ata për t’u pajisur me dokumentacione për leje të qëndrimit duhet të presim me vjet.

Përveç pritjes, atyre u kushton 70 euro një leje e qëndrimit 1-vjeçare.

MPB: S’mund të kemi marrëveshje me Serbinë për shqiptarët e Luginës

Një marrëveshje të tillë, sikur me Shqipërinë, e cila mund t’iu lehtësonte jetën qytetarëve të Luginës së Preshevës, Kosova nuk mund ta ketë me  Serbinë, pasi që kjo e fundit nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

“Për banorët e Luginës së Preshevës, marrëveshjet bilaterale me Serbinë nuk mund të kemi, sepse Serbia nuk njeh subjektivitetin tonë shtetëror e politik”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Por pavarësisht kësaj, Ministria e Punëve të Brendshme është duke e ndryshuar ligjin në mënyrë që qytetarëve të Luginës t’ua lehtësoj jetën.

“MPB-ja është duke plotësuar/ndryshuar kuadrin ligjor aktual me masa dhe veprime pozitive me qëllim që t’iu lehtësojë jetën. Për  këto plotësime /ndryshime të kuadrit ligjor janë disa faza dhe afate  ligjore dhe procedurale deri sa të arrihet vendosja dhe  zbatimi i tyre”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mustafi: Marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vlejnë edhe për shqiptarët e Luginës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Ragmi Mustafi, thotë se marrëveshjet që nënshkruhen në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të vlejnë njëjtë edhe për shqiptarët e Luginës.

“Marrëveshjet përkatëse ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do duhej të vlejnë edhe për Luginën duke i mundësuar trajtimin e merituar”, është shprehur Mustafi.

Ai thotë se këtë e kanë kërkuar në vazhdimësi, pasi që po ballafaqohen me pengesa e me një diskriminim sistematik.

“Për shkak të pozitës së vështirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që ballafaqohen me pengesa të pamerituara e me një diskriminim sistematik për shkak të përkatësisë kombëtare në vazhdimësi kemi kërkuar nga dy qeveritë që shqiptarët e Luginës të lehtësohen procedurat administrative dhe të trajtohen si gjithë bashkëkombësit brenda territorit të Shqipërisë dhe Kosovës. Si zotime ashtu edhe i kemi marrë nga ministrat përkatës”, ka deklaruar ai.

Shqiptarët e Luginës që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, për t’u pajisur me leje qëndrim në Kosovë paguajnë 30 € për letërnjoftimin e përkohshëm, i cili është leje qëndrim 1 vjeçar.

Ata gjithashtu paguajnë 20 euro sigurim shëndetësor në vit dhe taksën në Gjykatën e Kosovës që nuk janë në hetime. “Nëse i llogarisim edhe dokumentet që i paguajmë në Serbi, shpenzimet për leje qëndrim në Kosovë shkojnë rreth 70 €. Nuk ka logjikë letërnjoftimi 10 vjeçar për shtetasit e Kosovës të paguhet 10 €, ndërsa shpenzimet për leje qëndrim një vjeçar të shkojnë 70 €”, thotë një qytetar i Luginës derisa po priste për të aplikuar për leje qëndrim në MPB-në e Kosovës.

Related Articles