Shatë persona janë arrestuar në operacionin policor të sotëm në 25 lokacione të ndryshme të Prishtinës dhe Pejës.
Ky aksion i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, ka rezultuar me arrestim të të dyshuarve për “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal”, “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”, si dhe për “pastrim të parave”.
“Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale”, thuhet në njoftim.
Operacioni thuhet se është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë evropiane EUROPOL, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.
Më tej bëhet e ditur se gjatë realizimit të urdhërkontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë; një peshore për matjen e lëndëve narkotike; 11,065 euro para të gatshme; 34 automjete; shtatë armë zjarri; dokumente personale me identitet të rremë; pajisje elektronike; dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.