Shtëpia e Kulturës në Preshevë largon nga puna aktoren Egzona Salihu, pasojnë reagimet

Shtëpia e Kulturës në Preshevë largon nga puna aktoren Egzona Salihu, pasojnë reagimet

Aktorja Egzona Salihu është larguar nga puna në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, me arsyetimin se nuk respektoi orarin e punës.

Salihu është shprehur e bindur se largimi i saj nga puna është i përkohshëm, ndërsa thekson se është ballafaquar me shantazhe, mobing, maltretime e kërcënime “që nga emërimi i drejtorit të ri në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë”.

Ajo thotë se kërcënuesit “qëllimin e kishin të qartë – të më largojnë nga puna”.

“Mjetet nuk i zgjodhën, qoftë edhe duke keqpërdorur besimin kolegial e njerëzor. Ata, ia dolën”, tha ndër të tjera në reagim aktorja shqiptare nga Presheva.

Aktorja thotë se vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës e ka pranuar para disa ditësh, ndërsa thotë se “edhe kësaj here zgjodhën rrugën që më së miri dinë ta bëjnë – atë të intrigave, duke i treguar kështu muskujt e një mashkulli autokrat në krye të një institucioni që nuk ia ka haberin kundrejt një femre që kishte zgjedhur Preshevën për të jetuar e punuar në të. Qoftë edhe si ndriçuese me diplomë aktoreje”.

“Po, po, sa herë që ngjitesha në skenë në teatrin e Preshevës dhe luaja me gjithë zemër rolet që mu ndanin, në fakt paguhesha për ndriçuese dhe jo aktore. Logjikshëm do duhej të isha mbrapa perdeve, por dëshira për të ushtruar profesionin tim me nderë e përkushtim hiqte para meje çdo perde e cila më ndante mua dhe qytetarin preshevarë që vinte për të parë ato pak organizime që ne, bashkë me kolegët tjerë i organizonim”, thekson më tej aktorja Salihu.

Ajo thotë se institucioni në fjalë udhëhiqet nga njerëz joprofesionalë, por shton se “fokusi im që të merrem me profesionin e jo politikën, dëshira ime për të mos heshtur po për të lëshuar zërin, e bindja ime që të bardhës i thuhet vetëm e bardhë, ishin pengesat kryesore për të vazhduar të ushtrojë profesionin tim”.

Në fund, ajo tha se “nuk ka e nuk do të ketë drejtor që nga brendësia ime mund të më marrë vullnetin e dëshirën për t’i kontribuar zhvillimit të kulturës në qytetin ku jetoj”.

“As luftën për barazi e emancipim të femrës shqiptare. Fundja, pozitat e tyre janë të përkohshme. Ata shkojnë e vijnë. Ne do të mbesim e bashkë me ne do të mbesë edhe angazhimi jonë i përbashkët për drejtësi”.

“Vendimi për largimin tim nga puna nuk mund t’i ndalë dritat e juaja që ka kohë që kanë filluar të fiken e sjellja juaj autokrate nuk mund të ndalojë perden e cila shumë shpejtë do t’ju bjerë për të ndarë përfundimisht të keqen tuaj nga e mira të cilën synojnë qytetarët. Dritat e fikura sot do t’i ndriçojmë me flakadanin e barazisë e mirëtrajtimit nesër. Beteja ka filluar”, përfundoi aktorja Egzona Salihu.

Në lidhje me këtë rast, nëpërmjet rrjetit social Facebook ka reaguar deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, duke e quajtur të ulët e të mjerë, vendimin e marrë.

“Sa keq. Sa ulët. Sa mjerë. E njëjta Egzonë që për shkak të mosnjohjes së diplomës nga Republika e Kosovës ka pranuar e përzgjedhur të ushtrojë profesionin e vet qoftë edhe duke u paguar si ‘ndriçuese’ e jo aktore, vetëm e vetëm të qëndrojë në vendlindje. Si heroinë e vërtetë. Pa u joshur nga mundësitë jashtë vendlindjes, por duke qëndruar këtu në mesin tonë”, ka thënë Kamberi në reagimin e tij.

Kamberi, tutje në reagimin e tij bëri të ditur se diplomën nuk ia njohu as shteti i Serbisë, duke shtuar se Egzona është dëshmia e radhës për të ngritë zërin të gjithë së bashku.

“Diplomën nuk ia njohu Serbia – kontributin në vendlindje nuk po ia njohin sherifët lokalë. Egzona sot është dëshmia e radhës që koha për të ngritur zërin bashkërisht po perëndon. Sot Egzona, nesër dikush tjetër. Mjaftë më”, është shprehur Kamberi në reagimin e tij.

Reagim pati edhe nga këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti, Ardita Sinani.

Ajo tha se pushteti aktual në Preshevë çdo ditë e më shumë po kontribuon me (mos)veprimet në stërkeqjen e situatës në çdo pore që prek qytetarët tanë, e vërtetoi edhe rasti i sotëm.

“Me keqardhje u njoftova sot se Shtëpia e Kulturës merr vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, aktores së vetme të Teatrit të Preshevës, Egzona Salihut. Me arsyetimin se Egzona nuk ka respektuar disiplinën e punës! Vendim ky i nënshkruar nga një drejtor që vetëm për kulturë nuk njihet. As të teatrit, as të komunikimit e të asnjë lloji tjetër”, tha Sinani.

Ajo tha se ishte pikërisht drejtori aktual i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, “që i dirigjuar e komanduar nga kryetari aktual i Komunës së Preshevës, anuloi lejen për shfaqjen e filmave ‘Heshtja vret’ dhe ‘I pabesi’, projekte këto që ishin mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Megjithatë, ajo thotë se Egzona Salihu ka përkrah publikun luginas. 

Related Articles