Si mund të ofrohet garanci për ish krerët e UÇK-së? Specialja flet për mundësitë dhe procedurat

Si mund të ofrohet garanci për ish krerët e UÇK-së? Specialja flet për mundësitë dhe procedurat

Gjykata Speciale e Kosovës, përkatësisht Dhomat e Specializuara të Hagës, kanë sqaruar kushtet dhe kriteret se si një shtet i tretë mund të ofrojë garanci për ish krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në një përgjigje me shkrim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, dhënë gazetës “Enigma” sqarohet se shtetet nuk “ofrojnë” asnjë garanci të tillë më vete, përveç nëse kërkohet.

“Paneli mund të marrë në konsideratë lirimin e përkohshëm të një të akuzuari nën kushte ose garanci të caktuara. Garancitë e tilla mund të sigurohen nga një Shtet i Tretë me kërkesë të një të paraburgosuri dhe pas një marrëveshjeje për ndonjë kusht të tillë të vendosur nga Paneli, duke përfshirë nëse Shteti i Tretë pranon që i akuzuari të jetë në territorin e tij dhe nëse ai Shtet është i aftë ose i gatshëm për të vendosur kushtet e përcaktuara nga Paneli. Prandaj, shtetet nuk “ofrojnë” asnjë garanci të tillë më vete, përveç nëse kërkohet”, ka thënë Michael Doyle nga Specialja. Po ashtu aty sqarohet se një garanci e tillë mund edhe të mos pranohet, nëse nuk plotësohen kriteret e nevojshme. “Siç vuri në dukje trupi gjykues i apelit, i cili mbështeti vendimin e gjyqtarëve të procedurës paraprake mbi ndalimin e vazhdueshëm, një “garanci” nuk do të thotë automatikisht që një i akuzuar do të lirohet. Është vetëm një faktor që mund të merret parasysh gjatë marrjes së vendimit për lirimin e përkohshëm”, thuhet tutje në përgjigjen e Speciales.

Ndërkohë, për këtë pati reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti i cili ditë më parë kishte thënë se ish krerët e UÇK-së, kanë mbrojtjen e tyre dhe se s’është shteti në gjyq.

Kurti po ashtu ka thënë se Kosova s’mund të jetë si shtet i tretë meqë Specialja “është një këmbë në Kosovë e një këmbë jashtë Kosovës”.

“Problemi me çështjen e garancisë është që Kosova nuk është shtet i tretë. Në Gushtin e 2015, argumenti kryesor pse duhej të votohet amendamenti 24 e që ne e kundërshtuam, ka qenë që nëse nuk e bëjmë ne, do të bëhet gjykatë ndërkombëtare. Ne e kemi ditur që nuk ishte ashtu. Ne e kishim të qartë që kjo Gjykatë nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës, por një këmbë jashtë e një këmbë brenda. Prandaj jemi në këtë situatë te pafavorshme, kur Kosovës me vendimin e gushtit i pamundësohet. Nuk mund të kërkojë unë garanci nga Kroacia. Ka një proces juridik. Ata që janë në burg. Nuk është shteti në gjyq. S’më takon mua që të marr këso hapash. Do të ishte gabim për shtetin”, ka theksuar ndër të tjera kryeministri.

Kurse, Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi, ka sqaruar se vend i tretë për të dhënë garanci lidhur me të akuzuarit në Hagë, mund të jetë edhe Kosova, në raport me shtetet tjera. “Shtetet e fuqishme qe kane qene sponzorizues dhe promovues te Gjykates Speciale nuk dalin garant, sepse mund të konsiderohet si paragjykim dhe një lloj ndërhyrje në procesin gjyqësor, për shkak se kjo gjykatë financohet kryekëput nga këto shtete, prokurorët dhe gjykatësit vijnë po nga këto shtete. Shtetet demokratike i kushtojnë rendësi jo vetëm pavarësisë në ligj dhe procedurë, por edhe në dukje, dhe perceptimit në publik”, ka sqaruar ai.

Tutje ai shtoi se “Në skenarin më të keq, me ose pa garanci nga Kosova ose një shtet i tretë, në momentin që gjykimi kalon në shqyrtim gjyqësor të akuzuarit do të mund të mbrohen në liri. Përjashtimisht, kjo masë mund të ndryshoj nëse nuk i respektojnë masat dhe kufizimet që mund të ua përcakton gjykata”. /Gazeta Enigma.

Related Articles