Si u zhduk biznismeni nga Prishtina, cilat janë dyshimet e familjes

Si u zhduk biznismeni nga Prishtina, cilat janë dyshimet e familjes

Pasditen e 8 prillit të muajit të kaluar, biznesmeni Bedri Rexhepi ka dalë nga banesa e tij e cila gjendet në “Rrugën B” dhe që nga ajo ditë e deri më sot kanë kaluar 49 ditë dhe nuk ka asnjë informacion ku gjendet ai.



Vëllai i biznesmenit, Adnan Rexhepi ka rrëfyer informacionet që kanë si familje ndërsa kanë bërë publike edhe një trajektore të rrugëve që mendohet se ka kaluar vëllai i tij me veturë në mënyrë që gjithsecili që ka informacione të lajmërojë ata dhe të ndihmojë në gjetjen e vëllait.

Për 49 ditë sa janë bërë nga zhdukja e biznesmenit, Policia dhe ekipet hetimore të saj kanë bërë kërkime të shumta në mënyrë që të gjendet ndonjë shenjë apo provë që dërgon në zhdukjen e të njëjtit.

Vëllai Adnani tregoi se çka kishte punuar Bedri Rexhepi.

Biznesmeni Bedri Rexhepi

“Ai ka punu me tregtar të ndryshëm, probleme nuk ka pasur me askënd. Në ditën kritike vëllau ka pas me i ble dy vetura. Nuk i ka pasur borxh askujt veçse i kanë pasur borxh vëllait. Probleme nuk ka pasur absolut me askënd jo diçka që mund të dërgojë deri te një ngjarje e tillë”, thotë ai.

Tutje ai rrëfen edhe se në ditën kritike kur Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa kishte qenë në shoqëri të klientit të tij Jeton Vllasaliut.

“Vllau kur ka dalë prej banesës në ora 16:30 me datën 8 ka pas me u taku me Jeton Vllasaliun. Jetoi është i dyshuari kryesor është i burgosur. Jetoni ka qenë klient i vëllait, ka qenë klient i rregullt, atë ditë Jetoni i ka thënë që ka me ti shit dy automjete dhe vëllai ka shku me i marrë ato automjete dhe një vlerë të obligimit që ka jetoni ndaj vllaut me e zbatu me ato vetura dhe me u kry Pazar. Ata dy janë taku ka shku vllau e ka marrë Jetonin deri te shpia e vet në Hajvali”, vazhdon të tregoj Adnan Rexhepi ndërsa shton edhe për informacionet që kanë deri më tani.

Sipas Adnanit, vëllai ka qenë me një veturë ngjyrë hiri të tipit Jeep me tabela 05-406- EJ.

Vetura me të cilën ka qenë Bedri Rexhepi ditën e zhdukjes.

“Këtë  e kemi kuptu në bazë të incizimeve që i kemi marrë te disa biznese, kerri i vëllaut që ka qenë atë ditë shihet deri sa vazhdon për në Novobërdë dhe vetura u gjet ditën e nesërme në fshatin Shushicë të Komunës së Janjevës”, tregon vëllai i vogël i Bedri Rexhepit.

Trajektorja ku dyshohet se është bërë rruga me veturën e Bedri Rexhepit kalon nga Prishtina për në rrugën Hani i Dilit e pastaj në Llukar me vazhdim në fshatrat Grashticë, Mramuer, Slivovë, Llabaj e Novobërdë.

Në Novobërdë sipas informacioneve që ka familja Bedri Rexhepi së bashku me një person tjetër që dyshohet se është klienti i tij Jeton Vllasaliu kanë qëndruar për 1 orë e 50 minuta e më pas janë kthyer sërish për Prishtinë e që dyshohet se kanë hyrë në një rrugë që njihet si ura e Janjevës për të përfunduar më pas vetura në fshatin Shushicë të Komunës së Lipjanit.

Vetura është gjetur një ditë më pas e braktisur dhe pa shenja për Bedri Rexhepin.

Gjetja e veturës së Bedri Rexhepit, e braktisur në fshatin Shushicë të Komunës së Lipjanit.

Adnan Rexhepi tregon edhe se cilat informacione i kishin marrë nga banorët e komunës së Novobërdës ditën kur kishin parë veturën me të cilën ishte duke qarkulluar vëllai i tij.

“Këtë rrugë (Novobërdë) dihet veçse e ka frekuentu vëllai po masnej nuk dihet çka ka ndodh apo ku ka shku. Në këtë rrugë e kemi një informacion prej banorëve që vetura e vëllaut atë ditë është parë këtu (Novobërdë) te dy restorante. Te restoranti i parë ka qëndru rreth 10 minuta ndërsa te restoranti lartë aty dyshohet se kanë qëndru më shumë”, tregon tutje ai.

Pas kthimit për në Prishtinë, në fshatin Llabjan Adnan Rexhepi tregon se telefoni i biznesmenit është fikur ndërsa rrëfen edhe një detaj tjetër të kyçjes në telefon rreth orës 22 të datës 8 prill.

“Po atë ditë në mbrëmje nga ora 21 telefoni ka qenë i kyçyr por me hotspot ndërsa lokacioni që është kyç telefoni ka qenë në Veternik në Prishtinë më s’kemi pas asnjë kontakt fare me vëllain”, thotë ai.

Veturën e braktisur sipas Adnan Rexhepit e ka lajmëruar një banor i fshatit Shushicë.

“Kerri ka ardh sipas kësaj rrugës dhe kemi informacione prej policisë që kerri është gjetë këtu dhe është lajmëru nga një banor. Banori kishte lajmëruar se ka parë një veturë në disa ara. Banori e ka pa që kerri ka ardh diku rreth orës 5 të mëngjesit deri në orën 15 pasdite. Në ora 14 e ka lajmëru policinë dhe informacionet i kemi nga policia”, tregon tutje ai.

Nga zhdukja e biznesmenit Bedri Rexhepi, është arrestuar vetëm një person ndërsa janë zhvilluar edhe disa kërkime në lidhje me gjetjen e tij.

Avokati i të arrestuarit Jeton Vllasaliut, Berat Tmava në një deklaratë ka treguar që vepra me të cilën ngarkohet klienti i tij është njëra ndër veprat më të rënda penale.

“Kërkesën prokuroria e ka paraqitur për veprën penale të rrëmbimit, vepra penale është njëra ndër veprat penale më të rënda penale mirëpo ky është vetëm një dyshim dhe nuk e di që klienti im tani për tani, a është fajtor apo jo tash është i dyshuar dhe kjo procedurë pritet të vazhdoj më tutje. Dënimi penal është 15 vjet deri në burgim të përjetshëm”, thotë avokati Tmava.

Tutje ai tregon se klientit të tij i është vazhduar paraburgimi.

“Paraburgimi i është vazhduar edhe për 2 muaj. Gjithmonë ka thënë që jam i hapur të bashkëpunoj por për momentin këto janë rrethanat ka tregu për momentin kur është taku me Bedriun kur është nda dhe nuk dim më asgjë”, përfundon avokati.

Të gjithë personat të cilët kanë parë apo kanë informacione për zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi i cili në ditën kur është raportuar zhdukja e tij ka qenë duke vozitur një veturë të tipit Jeep me ngjyrë hiri dhe me tabelat 05-406-EJ të lajmërojnë Policinë e Kosovës, të raportojnë anonimisht në numrin e telefonit 049492777./Kallxo/

Related Articles