Sektori privat ndihet i lënë pas dore, e kritikojnë Qeverinë se po ua shkel të drejtat

Sektori privat ndihet i lënë pas dore, e kritikojnë Qeverinë se po ua shkel të drejtat

Pas miratimit të Ligjit të ri të Pagave, nga Qeveria e Kosovës, sektori privat po ndihet i lënë anash, shkruan Gazeta “Enigma”.



Sipas përfaqësuesve të sindikatës që i mbron të drejtat e punëtorëve të kompanive private, Qeveria i ka “harruar” ata saher që ka ndarë shtesa për sektorin publik, muajt e fundit.

“Është një diskriminim që nuk mbahet mend, një veprim që gjatë gjithë kësaj periudhe, sidomos në periudhën dy vjeçare ne nuk kemi pasur asnjë stimulim aq më keq kur flitet për inflacion, më saktë kundër inflacionit”, ka deklaruar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Në një përgjigje për Gazetën “Enigma” Azemi tha se këto veprime të Qeverisë janë në kundërshtim me ligjet njerëzore.

“Është një trishtim i madh kur Qeveria e Kosovës ndan mjete për punëtorët që i kanë dy ose tri herë pagat më të mëdha se ne”, tha ai.

Tutje i pari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat ka theksuar se shteti po e ndihmon sektorin publik, pra një sektor shpenzues, dhe nuk ka asnjë ndihmë për sektorin privat, pra atë prodhues.

“Është në kundërshtim me ligjet njerëzore kur realisht ne i kemi pagat shumë më të vogla, ne realisht kemi trefish numër më madh të punëtorëve që ndajnë mjete për buxhetin e Kosovës. Është shumë e rëndë kur sektori publik është një sektor shpenzues dhe ne jemi një sektor prodhues”, ka deklaruar Azemi për “Enigmën”.

Tutje ai shtoi se “Kemi pasur ndihmë për punëtorët e sektorit privat që kryejnë shërbime nëpër spitale, qendra të mjekësisë familjare dhe ambullanta, ku në të njëjtin rend punon mjeku, infermieri, punon punëtori teknik dhe ai fizik dhe këto kategori janë paguar dhe ne nuk jemi paguar”.

Azemi së fundmi ka përmendur se Qeveria përveç rasteve tjera për t’a ndihmuar sektorin privat, ata dështuan edhe me ndarjen e Trustit që do të ishte një ndihmë sado e vogël për këtë sektor.

“Ndihemi të diskriminuar edhe me mos ndarjen pas kërkesës së 22 mijë individëve, dhe çka ka qenë më ironike realisht kryedeputetja e LVV-së, ku i shikonte deputetët e Vetëvendosjes se në çfarë forme po votojnë, ma ka qu mallin atëherë kur Serbia ka e ka marr Kushtetutën e 74-it. Në këtë formë janë shikuar deputetët a po votojnë për rrëzimin e autonomisë dhe po në këtë formë Kusari-Lila i ka shikuar deputetët se mos rastësisht ndonjë po voton për kalimin e ligjit për ndarjen e Trustit”, ka përfunduar Azemi.

Kujtojmë se në Kosovë, punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar.

Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles