Skenari i njëjtë, koha e ndryshme – Pse Lista Serbe vazhdon të mos certifikohet nga KQZ?

Skenari i njëjtë, koha e ndryshme – Pse Lista Serbe vazhdon të mos certifikohet nga KQZ?

Lista Serbe me anëtarët e saj është “mësuar” të mos certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhejve (KQZ). Kjo pasi është hera e tretë që kjo parti nuk certifikohet për zgjedhjet nacionale dhe ato lokale, shkruan Gazeta Enigma.

Fillimisht nuk u certifikua për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, më pas për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, e më pas për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Moscertifikimi i kësaj partie po bëhet me kundërshtimin nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe abestenimin e shumicës së anëtarëve nga partitë tjera.

Edhe pse KQZ nuk po e certifikon, një gjë e tillë është bërë çdo herë pas ankesës në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

PZAP njëjtë veproi edhe kur nuk u certifikua kjo parti për zgjedhjet e 28 nëntorit, pra si parti.

Por tani ka dalë një problem tjetër. Anëtarët e kësaj partie nuk u certifikuan si kandidatë për deputetë, në mbledhjen e 10 dhjetorit të KQZ-së.

Skenari i njëjtë sërish – LS dërgoi ankesën në PZAP, ndërkohë që këta të fundit ende nuk kanë dalë me vendim.

Reagimi i Ambasadës Gjermane

Ambasada Gjermane ishte një nga të parat që reagoi pas moscertifikimit të kandidatëve serbë.

Ambasada tha se kjo “dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe ka ndikim negativ në rrugën drejt integrimit të vendit në BE”.

Ambasada ka theksuar se zgjedhjet dhe përgatitjet teknike duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të akterëve politikë.

“Siç e theksuam javën e kaluar, procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë. Sjellja penguese e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët refuzojnë të verifikojnë Listën Serbe dhe kandidatët e saj, ndikon negativisht në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, kanë thënë nga Ambasada.

Por pse po bëhet një gjë e tillë, kur i njëjti vendim pritet nga PZAP?

Ish-anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani, në një prononcim për Gazetën Enigma thotë se e gjithë kjo katrahurë është “politike”.

Madje, Burjani thotë se KQZ nuk duhet të bëjë politikë pr këtë çështje.

“KQZ duhet të veprojë në bazë të ligjit dhe rregullave zgjedhore dhe të mos bëhet politikë me këtë çështje. Nuk ka arsye të fuqishme ligjore që lista me kandidatë e këtij subjekti politik serb të mos certifikohet”, tha Burjani për “Enigmën”.

Burjani po ashtu ngre sheqetësimin se e gjithë kjo do të ndikojë negativisht tek monitoruesit ndërkombëtar të zgjedhjeve në Kosovë.

“Ky veprim e dëmton Kosovën në çështjet e monitorimit ndërkombëtar, të cilët monitorojnë vazhdimisht procesin zgjedhor. E njëjta gjë vlen edhe me ambasadat e QUINT-it”, tha në fund Burjani.

“Filma të Vetëvendosjes”

Ish-diplomati Avni Arifi, kundërshtinë e Lëvizjes Vetëvendosje e cilëson si “film”, duke shtuar se për këto gjëra dënohet Kosova në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, Lista Serbe në fund të fundit do të certifikohet por, dëmi do t’i mbetet imazhit të Kosovës.

“Janë “filma” të Lëvizjes Vetëvendosje që faturën e paguan Kosova qoftë me imazh qoftë me partneritet. Lista serbe certifikohet dhe merrë pjesë në zgjedhje e dëmi i mbetet Kosovës”, u shpreh Arifi për “Enigmën”.

“Çon mesazh tek ndërkombëtarët se serbët po diskriminohen si pakicë”

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, thotë se moscertifkimi i këtij subjekti politik është pjesë e fushatës së manipulimit të opinionionit publik për të fituar vota.

“Mendoj se moscertifikimi i Listes Serbe është pjesë e fushates së manipulimit te opinionit publik ku po shfrytëzohet elementi nacionalist për te fituar vota”, tha Lama për Gazetën Enigma.

Lama deklaroi se “i gjithë ky teatër, ka pasoja pasi çon mesazhtek ndërkombëtarët se po diskriminohen serbët si pakicë”.

“Krejt perfaqësuesit e partive politike në KQZ e dinë qe nukkane baze ligjore për te mos e certifikuar dhe se vendimi i tyredo të hidhet poshte nga gjykatat kompetente, por bëjne teater. Por ky teater ka pasojë per shtetin e Kosoves pasi çon mesazhin para botës se po diskriminihen e perjashtohen serbet si pakicë. Prandaj pati dhe reagime nga BE dhe ShBA. Pra veprimi i nxiturnga VV ështe i papjekur i dëmshem dhe anti-kombetar”, përfundoi Lama.

“Çështje e KQZ-së, çështje e Ambasadës Amerikane”

“Është çështje e Komisionit Qendror Zgjedhor”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, derisa është pyetur për moscertifikimin e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe.

Pyetjes për deklaratën e Ambasadës Amerikane, e cila kishte thënë se “Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse”, Kurti iu përgjigj shkurt se “janë çështje të Ambasadës” dhe se ai është kryeministër në detyrë i Kosovës.

DnV: KQZ po devijon nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme

Demokracia në Veprim ka shprehur shqetësimin e saj për vendimin e djeshëm të KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe, pavarësisht se ata, sipas Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente.

Sipas DnV-së, procesi i certifikimit është një fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, e cila duhet të bazohet në kriteret ligjore dhe praktikat e konsoliduara të administrimit të zgjedhjeve, jo në interpretime apo vendimmarrje të motivuara politikisht.

DnV vlerëson se “ky është tashmë rasti i disatë ku KQZ-ja devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme”.

“Përvoja e deritanishme tregon se vendime të tilla, brenda pak ditësh, zakonisht anulohen ose ndryshohen nga instancat e larta të ankesave, duke krijuar vonesa të panevojshme dhe minuar besimin në administrimin zgjedhor”, thotë DnV.

Kjo OJQ thotë se kompetencën për të verifikuar kandidatët nëse kanë plotësuar kushtet apo nuk i kanë plotësuar sipas Ligjit, e ka vetëm Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll financiar të subjektiveve politike.

DnV i bëri thirrje anëtarëve të KQZ-së që të shmangin abstenimet dhe vendimmarrjet e tilla, por të sigurojnë që proceset zgjedhore të mos dëmtohen nga vendime që tejkalojnë kompetencat ligjore ose praktikën e deritanishme. /GAZETA ENIGMA

Related Articles