Kosova pritet që sot të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Kjo pasi dje ky shtet filloi pushtimin e Ukrainës.
Siç mëson Express këto sanksione do të shqyrtohen sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Ato do të vendosen në përputhje me sanksionet që kanë vendosur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Këshilli i BE-së.
Ky propozim vendim ka ardhur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në ndërkohë, presidenti i SHBA, Joe Biden mbajti një fjalim dje mbi situatën në Ukrainë, ku dënoi Rusinë për fillimin e sulmit ushtarak të enjten dhe njoftoi sanksione të reja të forta dhe kufizime për atë që mund të eksportohet në Rusi.
“Kjo do të imponojë kosto të rënda në ekonominë ruse, si menjëherë ashtu edhe me kalimin e kohës. Ne i kemi projektuar qëllimisht këto sanksione për të maksimizuar një ndikim afatgjatë mbi Rusinë dhe për të minimizuar ndikimin mbi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë,” tha ai, shkruan CNN.
Shtetet e Bashkuara nuk po e bëjnë këtë të vetme, tha ai, duke shtuar se 27 anëtarët e BE-së dhe anëtarët e G7 do të marrin pjesë në këto sanksione. /Gazeta Enigma/.