Të hënën, Gjykata Speciale kërkoi nga Policia e Kosovës përgjigje në detaje lidhur me mundësinë se nëse ata mund të sigurojnë mbrojtje në liri të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Të pyetur nga Gazeta “Enigma”, lidhur me arsyjet e kësaj kërkese, nga Specialja kanë deklaruar se i takon Gjyqtarit të procedurës paraprake që të vendos për lirimin ose jo të ish krerëve të UÇK-së, që po mbahen në Hagë.
“Të gjitha pyetjet që lidhen me kërkesat për lirimin e përkohshëm të të akuzuarve do t’i vendosë gjyqtari i procedurës paraprake ose kolegji përkatës i gjyqtarëve”, kanë thënë nga kjo zyre.
“Gjyqtari i procedurës paraprake urdhëroi policinë e Kosovës që të sigurojë informacion të detajuar në lidhje me autoritetin dhe aftësinë e policisë, ndër të tjera, për të zbatuar kushtet që lidhen me lirimin e mundshëm të përkohshëm të të akuzuarve”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre dhënë Gazetës “Enigma”.
Çka po kërkon saktësisht Specialja?
Gjyqtarit i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, në shkresën e tij thekson se “duke pasur parasysh kushtet e propozuara nga të akuzuarit në lidhje me kërkesat e tyre për lirim të përkohshëm dhe pa paragjykuar çdo vendim që do të merret nga gjyqtari i procedurës paraprake në lidhje me vendimet e kthyera nga Gjykata e Apelit”.
Tutje aty thuhet “Policia e Kosovës do të lidhet me çdo departament dhe/ose autoritet tjetër në Kosovë nëse është e nevojshme për të siguruar informacionin e kërkuar. Çdo pengesë teknike, logjistike ose tjetër që pengon ekzekutimin e duhur të Urdhrit do të ngrihet menjëherë te Gjyqtari i Procedurës Paraprake”.
Gazeta “Enigma”, ka tentuar të marr përgjigje nga Specialja se çka saktësisht nënkupton kjo kërkesë dhe cilat ishin arsyjet që e shtynë marrjen e këtij vendimi, porse këta të fundit nuk janë përgjigur.
Kujtojmë se aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. Aktakuza ndaj tyre pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh , serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë./Gazeta Enigma.