Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend, Enver Hoxhaj (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), shkruan Gazeta “Enigma”.
Në lidhje me refuzimin e kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, analisti, Visar Ymeri për Gazetën “Enigma” tha se është e rëndësishme që në këtë fazë të ketë bashkërendim shumë më të gjerë politik e shoqëror për sa i përket dialogut me Serbinë.
“Gjithsesi që në këtë fazë përfundimtare dhe tejet të rëndësishme do të duhej të kemi një bashkërendim shumë më të gjerë politik e shoqëror për sa i përket dialogut me Serbinë. Ky dialog nuk është i lehtë. Mundësitë për të gabuar në të janë të shumta. Na duhen edhe përvoja edhe vullneti politik. Mbi të gjitha na duhet koncensusi politik përmes të cilit dërgohet mesazhi i duhur te qytetarët, të cilëve për një kohë të gjatë u është thënë se nuk do të ketë kurfarë kompromisi (kryesisht nga pushteti actual sa ishte në opozitë)”, tha Ymeri për Gazetën “Enigma”.
Tutje, Ymeri tha se bashkërendimi politik shkon përtej diskutimit në Kuvend dhe se sipas tij të gjitha partitë e njohin rëndësinë e një bashkërendimi të tillë.
“Prandaj, nëse në të kaluarën e kanë vlerësuar si të dëmshme dhe të gabuar sjelljen refuzuese të VV-së, ç‘kuptim ka me e përsëritë gabimin e njëjtë. Kështu futemi në një vorbull të dëmshme politike ku secili pushtet sillet njëjtë, e secila opozitë sillet po ashtu njëjtë. Ky është vendnumërim”, shtoi tutje Ymeri.
Ndërsa, bashkimin e të gjitha partive opozitare për fazën përfundimtare me Serbinë, analisti, Rasim Alija e sheh si jo të domosdoshme.
“Patjetër që jo. Bashkimi i subjekteve opozitare në temat që imponon dhe i fut në agjendë qeverisja, jo patjetër është që të bëhen bashkë”, tha Alija për Gazetën Enigma.
Ndërsa, sa i përket refuzimit të PDK-së për të shkuar në takimin e ftuar nga Kryeministri Kurti, Aliaj tha se nuk ka pse i refuzon takimet e tilla sepse sipas tij kjo parti mund të marr informacione më shumë dhe të dal t’a luaj rolin si opozitë me informacione të bollshme, e majde do të kishte edhe më shumë informacione që kritiken e saj opozitë do t’a bënte më përmbajtësore dhe të mos jetë kaq sipërfaqësore.
“Ajo çka po tenton me arritë Partia Demokratike e Kosovës ka të bëjë me dy elemente.Pra, e para ka të bëjë me gjetjen e balancit nga PDK-ja për rolin e saj opozitarë dhe elementi I dytë ka të bëjë kthimin si hakmarrje ndaj LVV-së sa ka qenë në pushtet PDK-ja dhe ka bërë thirrje që të bëhen bashkë në temat e dialogut, derisa VV-ja ka qëndruar jashtë procesit të dialogut, si e tillë pa përfaqësim në çfarëdo grupi të dialogut. Siç duket, PDK-ja po ndjek një model të Lëvizjes Vetëvendosje sa ka qenë në opozitë, mirëpo se sa mund të arrijë rezultate dhe a janë efektet e njëjta të këtij veprimi opozitarë si në kohën e Vetëvendosjes, kjo duhet të shqyrtohet por unë besoj që jo, sepse rrethanat kanë qenë komplet tjera kur VV-ja ka refuzu të jetë pjesë e çfardo dakordimi opozitarë, derisa tani kemi rrethana krejt tjera”, tha Alija.
/Gazeta Enigma/.