Stadiumi në Gjilan sipas dokumentave duhet të kryhet në 2022, Komuna skeptike, MKRS-ja optimiste

Stadiumi në Gjilan sipas dokumentave duhet të kryhet në 2022, Komuna skeptike, MKRS-ja optimiste

Procedurat byrokratike, neglizhenca, refleksionet e zgjedhjeve të shpeshta, zvarritjet e punimeve, afatet optimale, rekomandimet e institucioneve relevante ndërkombëtare – FIFA e UEFA, si dhe shumë çështje tjera e kanë përcjellë realizimin sipas afateve të parapara projektin e Stadiumit tw Qytetit në Gjilan, shkruan, Gazeta Enigma.

Projekti ideor i prezantuar në fillim (2017) ka parapa përfundimin e punimeve në vitin 2021, kurse më pas kanë pasuar rekomandimet nga FIFA e EUFA që stadiumi i cili ishte parapa të jetë i kategorisë së dytë, të kalojë në atë të kategorisë së katërt, sipas standardeve të vet FIFA-s dhe UEFA-s.

Ky fakt më vonë ka pasur refleksionet e saj si pasojë e domosdoshmërisë së procedurave burokratike që marrin kohë. Ndërsa, pas rrjedhës normale të punimeve gjatë vitit të kaluar, ato ka disa muaj që janë ndërpre.

Duke pasur parasysh nevojën akute që punimet në stadium të rifillojnë dhe përfundojnë sa më parë, pasi në të zhvillojnë aktivitetet sportive dy nga ekipet kryesore të superligës, Drita e Gjilani, zyrtarë kompetentë nga MKRS-ja thonë se çdo gjë do të realizohet sipas parashikimeve, ndërsa nga niveli komunal shprehen skeptik se me këtë dinamikë stadiumi do të mund të përurohet gjatë vitit të ardhshëm, siç është parapa.

Sipas kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ky institucion merr pjesë në shumë projekte të përbashkëta në relacionet komunë-ministri-federatë, kur bëhet fjalë për stadiume, ndërsa participon aty ku ka mundësi:

“Gjithësesi infrastruktura i takon kompetencave të institucioneve shtetërore, në këtë rast MKRS-së, me të gjitha procedurat tjera te këto stadiume, si në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren, Podujevë etj. Kjo pasi pjesën më të madhe të investimeve e bënë ministria, siç ishte rasti me investimet në stadiumit “Fadil Vokrri” vite më parë, ku ne si FFK kemi participuar vetëm një pjesë nga kostoja totale.”

Kreu i FFK-së ka hezituar të vlerësoj paraprakisht rrjedhën e punimeve në stadiumin e Gjilanit, duke potencuar se ajo i përket ministrisë, komunës dhe operatorit, por është shprehur optimist se ky stadium do të jetë i gatshëm së shpejti për skuadrat e këtij qyteti.

“Në Gjilan, me sa e di unë, një herë ka ndryshuar projekti, dhe në monentin që ndryshohet diçka është një procedurë që kërkon kohë. Sigurisht që stadiumet duhet të jenë me norma të UEFA-s e FIFA-s, të  cilat janë të standardeve europiane për t’u zhvilluar një ndeshje e karakterit ndërkombëtar”, tha ai, për Gazeta Enigma, duke bërë të ditur se ky stadium është i nivelit të katërt, që hynë në kategorinë e stadiumet bashkëkohore.

Për nënkryetarin e komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, vonesat në realizimin e punimeve nuk duhet assesi të amnistohen, dhe se të gjitha vonesat deri më tani kanë ndodhur për shkak të ndryshimeve bazike në fillim të procesit, gjatë zhvillimit dhe në përfundim të projektit.

“Kushtet apo kriteret që ka pasur UEFA kanë qenë në kundërshtim mbase me inicimin e projektit që është mendu me u realizu në atë periudhë. Ndërsa, në koordinim të plotë me MKRS-në, pas shumë takimeve projektin e kemi ndarë në dy faza:

Të gjitha obligimet që komuna i ka pasur në fazën e parë, i kemi kry, ndërsa topi tani është tek MKRS-ja. Kjo pasi fillimi i fazës së dytë, që parasheh zhvillimin e punimeve deri në përfundim të projektit të tërë, është kompetencë e MKRS-së”, tha ai për Gazeta Enigma.

Sfidë në vete sipas Ismajlit është edhe mungesa e një koordinimi të mirëfilltë mes komunës dhe MKRS-së, marrë parasysh edhe zhvillimet politike, si dhe ndërrimet e shpeshta të ministrave.

“Mendoj që një hendek i madh është ndërrimi i shpeshtë I ministrave që kanë ndodhur sepse është kulturë jo e mirë në vendin tonë që, ndoshta secili ministër që vjen, ose, secila qeveri që vjen në pushtet, punën e parë që bën, i shiqon të gjitha rekomandimet, ecurinë e zhvillimit të punëve që dikush i ka bërë para tij, që mendoj se si praktikë duhet me u ndalë.

Nuk dua të hy apo vlerësoj punën e ministrit të ri, por konsideroj që prioritetet e secilit ministër që vjen duhet të jenë ato projekte që janë, apo që kanë filluar. Në këtë rast, punimet për stadiumin e qytetit në Gjilan kanë filluar më herët: një pjesë e tyre janë kryer, për aq sa kemi informata.

Operatori ekonomik është duke i kryer punimet me efikasitet për aq sa ka buxhet, ndërsa mbetet çështje e ministrisë me i siguru mjetet për t’i dhënë komoditet operatorit me i përfundu ato punë”, tha Ismajli.

Duke folur për afatate optimale që projekti të kryhet në vitin 2022, siç është parapa, Ismajli është shprehur skeptik.

“Unë nuk kam komoditet të siguroj këtë që ju po e kërkoni, sepse nga ajo që kam pa, dhe jo vetëm në projektin e stadiumin të qytetit të Gjilanit por edhe në disa projekte tjera, jam skeptik nga procedurat dhe nga zhvillimi i këtyre projekteve. Pra, unë nuk i kisha dhënë vetes komoditet me i siguru “Intelektualët” dhe “Skifterat”, por edhe dy klubet e suksesshme të Gjilanit, FC Drita e SC Gjilani, që t’u them se vitin tjetër do t’i zhvillojnë ndeshjet në stadiumin e përfunduar”, tha ai.

Nërkaq Fitim Arifi, U. D. i drejtorit në Departamentin e Sportit në MKRS, lidhur me ngecjet në punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan, ka bërë të ditur se sipas raporteve të komunës së Gjilanit për fazën e parë të punimeve, del se ato janë në përfundim e sipër, ndaj edhe pagesat bëhen kur ato të konstatoihen të mbyllura.

“Duke u bazuar në raportet e sjellura nga Komuna e Gjilanit dhe punët e zhvilluara në terren, punimet e fazës së parë janë në përfundim e sipër. Ndërsa obligimet e MKRS-se janë investimet financiare në bazë të raporteve për situacionet e pranuara nga Komuna e Gjilanit ku MKRS, merr përsipër realizimin e pagesave”, tha ai.

Arifi më pas ka nënvizuar se ”dy vitet e fundit Pandemia ka shkaktuar vonesa e ngecje në të gjitha sektoret, ashtu edhe në ndërtimin e objekteve sportive, kurse projekti i Stadiumit të Qytetit tw Gjilanit sipas tij, ka pasur edhe probleme pronësore të cilat më pas janë zgjidhur. Ai tha poashtu se realizimi i këtij projekti parashihet të përfundoj në kohë optimale, gjithnjë duke pasur parasysh koston dhe dinamikën e punëve në terren.

“Shpresojmë që të gjitha punët të shkojnë sipas planit dinamik tw vet projektit të stadiumit në Gjilan, dhe sa më shpejtë të kenë mundësinë tifozët “Skifterat” dhe “Intelektualët” të ndjekin nga Stadiumi i Qytetit në Gjilan ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha U.d. drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS-së, Fitim Arifi, duke mos saktësuar nëse ky projekt përfundimisht do të përmbyllet më vitin 2022, siç është e parapa, shkruan Gazeta Enigma.

Related Articles