Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, njoftoi sot se nuk ka asnjë informacion për takime të ardhshme në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai refuzoi të komentojë spekulimet se mund të zhvillohet një dialog i nivelit të lartë në afat të shkurtër, njofton Gazeta Enigma.
“Nuk komentojmë kurrë spekulimet, dhe për momentin nuk kam asnjë njoftim për takime të ardhshme në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së,” tha Stano në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Kujtojmë se më 6 tetor, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se po punon për përgatitjen e takimit të ardhshëm mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Lajçak shprehu shpresën se ky takim do të realizohet në javët në vijim, si pjesë e përpjekjeve për të avancuar dialogun midis dy vendeve./GazetaEnigma/