Dy persona janë plagosur në veri të vendit si rezultat i një shpërthimi të ndodhur pak para mesnatës së 16 janarit.
Lajmin për Gazetën Enigma e ka konfirmuar dje zv.Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani ka treguar se dyshohet se mjeti shpërthyes është një granatë dore dhe se ngjarja ka ndodhur tek Hoteli Bisevac.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore, ku si pasojë dy persona kanë pësuar lëndime.
Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor, derisa rasti po hetohet në drejtim të veprave “Vrasje në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Mitrovicë Veri 15.01.2024, 23:45. Është raportuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore dhe si pasojë kanë pësuar lëndime dy viktimat meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Rasti ne procedure hetimore”, thuhet në raport.
Për rastin është deklaruar mbrëmë edhe Zëvendës Drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas tij, si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe 4-5 vetura që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Njëri prej tyre, sipas Elshanit ka qenë i plagosur edhe në një rast tjetër, vitin e kaluar.
“Nuk kemi arsye të besojmë se ky rast ka lidhje me çështje etnike. Kjo çështje nuk është politike, mund të jetë për qërime hesapesh apo vepra të tjera. Jemi duke hetuar tashmë disa pista. Njëri nga të lënduarit ka qenë i plagosur në një rast tjetër vitin e kaluar, pra është i njohur.”, tha Elshani.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka thënë se incidenti i mbrëmshëm ka ndodhur shkak i luftës mes grupeve kriminale serbe, të cilat veprojnë në shitblerjen e drogës.
“Mund të themi se ky veprim i brendshëm është veprim mes grupeve kriminale serbe që për qëllim kanë pasur qërimin e hesapeve për shitblerjen e substancave narkotike. Në fillim pati raportime se ka qenë një konflikt ndëretnik, ku më pas Serbia mund ta përdorte për qëllime të veta politike, por nga informacione që i ka marrë Policia e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë, del se ka pasur konflikt mes të njëjtit komuniteti, atij serb, dhe si pasojë njëra palë ka përdorur mjete ushtarake – granatë dore, duke tentuar të shkaktoj humbje në grupacionin tjetër”, tha Shala.
Tutje, ai theksoi se ndikimi i udhëheqsisë serbe në veri ka rënë dhe se grupi i njeriut që organizoi sulmin në Banjskë, nuk po vepron më brenda territorit të Kosovës.
“Ndikimi i Beogradit në veri ka rënë në minimale, dhe grupi i Radojciqit nuk është aktiv brenda territorit të Kosovës. Cka vlen të theksohet është se Policia e Kosovës tani më situatën e ka nën kontrollë dhe në javët në vijim pritet të kemi aktivitete të caktuara në luftimin e grupeve kriminale që kanë rënë ndesh me normativën”, vazhdoi Shala.
“Deri sa të mbahet takimi në Davos të Zvicrës, situata do të jetë e tensionuar dhe Serbia do të tentoj në formacione të caktuara të nxis të reagoj në forma paknaqësie qytetarë në raportim me gjithë sistemin dhe qëndrimet politike të Republikës së Kosovës”, përfundoi Shala në prononcimin për Gazetën Enigma.
“Bomba në veri ishte mesazh për serbët nga Radojiçiqi”
Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se shpërthimi i mbrëmshëm i bombës në veri të Mitrovicës ishte një mesazh për serbët nga veriu i Kosovës se mund të kalojnë sikurse Oliver Ivanoviq, derisa ka thënë se ka zëra se kryekrimineli Milan Radojiçiq ndodhet rreth veriut dhe synon hakmarrjen.
“Ky është një mesazh, para së gjithash, për serbët nga veriu i Kosovës: “Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnik në një masë të mirë, mund të kaloni të njëjtën rrugë si Oliveri”, tha Trajkoviq.
Ajo rikujton se ekziston një dokument për përfshirjen e Milan Radojiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit në vrasjen e Ivanoviqit, i cili ka ardhur nga qeveria amerikane.
“Ata janë në listën e zezë si të përfshirë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Njerëzit nuk futen në listën e zezë pa prova dhe materiale. Unë nuk e di sa ka kërkuar Serbia nga qeveria amerikane që t’i informojë për gjetjet e saj për vrasjen e Oliverit, por mendoj se nuk ka kërkuar asgjë. Edhe Veselinoviqi edhe Radojiçiq janë njerëz me besimin më të madh të biznesit nga Qeveria e Serbisë dhe Aleksandar Vuçiq, sepse ata marrin projektet më fitimprurëse dhe janë bërë milionerë”, tha Trajkoviq për ‘N1’.
6 vjet nga vrasja e Ivanoviqit
Milena Popoviq, gruaja e Oliver Ivanoviqit ka folur rreth vrasjes së bashkëshortit të saj më 16 janar të 2018-ës.
Ajo tha se si edhe pas gjashtë viteve, akoma nuk kanë informata se pse u vra Ivanoviq.
“Fatkeqësisht, edhe pas plot gjashtë viteve, as unë dhe askush tjetër nuk kemi përgjigje në pyetjen se pse Oliveri është vrarë, por siç kam thënë 1 mijë herë më parë, e përsëris edhe sot në këtë vend, se jam absolutisht e sigurt që ne do të arrijmë tek e vërteta një ditë dhe do gjejmë se kush e mori jetën e Oliver-it më 16 Janar,” tha Popoviq në një deklaratë për gazetarë. /Gazeta Enigma/