Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Leposaviq- Gjithçka që dihet deri më tash

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Leposaviq- Gjithçka që dihet deri më tash

Gazeta Enigma të hënën raportoi ekskluzivisht se pjesëtarë të Kosovës ishin sulmuar nga një grup i panjohur.

Pak orë pas publikimit të lajmit, Policia e Kosovës doli me detaje të reja sa i përket incidentit në Bistricë të Leposaviqit, ku ajo ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll.

Përmes një njoftimi Policia e Kosovës thotë se pas veprimeve hetimore janë identifikuar dy persona të dyshuar që kanë rrezikuar jetën e policëve.

Sipas verifikimeve nga organet e sigurisë të njëjtët kanë rezultuar me përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale.

Personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast sipas të dhënave rezultojnë të jenë persona me të kaluar kriminale dhe të përfshirë në dhjetëra veprave penale dhe kundërvajtje si:

I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje.

Po ashtu, i dyshuari tjetër mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim, si dhe parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale.

Ndryshe gjatë së dielës një veturë gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës, duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën e zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.

Incidenti ndodhi pasi Policia e Kosovës kishte vendosur një pikë kontrolli për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, por edhe për të parandaluar krimin dhe kontrabandën.

Autoritetet e rendit thanë se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkaq përveç hetimeve për rastin, PK ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për procedura të mëtejme.

Ndërkaq, sipas  të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë serbe nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se dy personat që ishin në veturën në fjalë, qëllimisht goditën automjetin e Policisë së Kosovës.

“Jemi të brengosur thellë për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me veturë tentuan t’i shmangen postbllokut policor. Ata kanë goditur me dashje veturën e Policisë së Kosovës dhe kanë vënë në rrezik jetën e policëve”.

Sipas Sveçlës policët u detyruan të shtiejnë në drejtim të kësaj veture për të neutralizuar situatën.

“Policët e PK-së janë detyruar të qëllojnë në drejtim të automjetit për të neutralizuar situatën”, shtoi ai.

Ministri i Brendshëm tha se Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar një hetim për ngjarjen.

“Dua të jem i qartë: asnjë formë dhune ndaj policisë sonë nuk do të tolerohet”, vijoi tutje Sveçla.

Sipas tij mbrojtja e qytetarëve dhe zbatimi i ligjit është prioriteti ynë kryesor.

Ndërkohë  e ashtuquajtura zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se një pjesëtar i komunitetit serb është plagosur nga të shtënat e policisë.

Shefi i kësaj zyreje Petar Petkoviç tha se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës, në jug të Serbisë. Ai tha se njësitë policore kanë qëlluar mbi makinë me të cilën po udhëtonin dy qytetarë serbë “vetëm sepse ata nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë arsye”.

Nga ana tjetër Lista Serbe ka kërkuar largimin e njësive Speciale nga zonat e banuara me shumicë serbe.

Related Articles