Një mjet shpërthyes është hedhur të enjten mbrëma rreth orës 22:45 në objektin e elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës.
Përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Burimet më tej kanë shtuar se si pasojë e këtij shpërthimi një trafo është dëmtuar krejtësisht dhe disa automjete të cilat kanë qenë të parkuara afër këtij objekti.
“Dyshohet se mjeti shpërthyes është hedhur qëllimshëm nga një person ose më shumë persona dhe ka të bëjë me marrëveshjen për energjinë të arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit ditë më parë në Bruksel. Si rrjedhojë pjesa dërmuese e qytetit ka mbetur pa energji elektrike deri në orët e hershme të mëngjesit”, kanë thënë burimet.
Mësohet se policia ka dalë menjëherë në vend ngjarje dhe po zhvillon hetimet, ndërsa është hapur rast për tre vepra penale që ndërlidhen me incidentin.