Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur sonte në Pejë.
Sveçla ka njoftuar se kanë arrestuar, personin e tretë të përfshirë në ngjarje, teksa ka shtuar se janë të përkushtuar që me të gjitha kapacitet ta zbardhin rastin.
“Sapo më njoftuan se një ngjarje e trishtuar ka ndodhur në qytetin e Pejës ku kemi vrasje të dyfishtë dhe një të plagosur, i cili tashmë është arrestuar. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është qenësore. Prandaj, jemi të përkushtuar, që me të gjitha kapacitetet të zbardhim rastin”
“Ngjarjet e tilla të dhunës me armë duhet të marrin fund. Jam plotësisht i angazhuar për të siguruar që Policia e Kosovës të ketë të gjitha resurset e nevojshme për të zbardhur rastin dhe ofrojë siguri për qytetarët”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, se të shtënat me armë zjarri janë dëgjuar rreth orës 20:20 në afërsi të shkollës Ekonomike “Ali Hadri”, ku dy persona kanë mbetur të vdekur dhe një tjetër i plagosur.