Sveçla për zgjedhjet në veri: Nga aspekti i sigurisë dhe ligjor të suksesshme, nga ai politik jo mirë

Sveçla për zgjedhjet në veri: Nga aspekti i sigurisë dhe ligjor të suksesshme, nga ai politik jo mirë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme të sotme në veri nga aspekti i sigurisë dhe ligjor mund të konsiderohen të suksesshme. Por, nga aspekti politik, ai ka thënë se është për keqardhje që qytetarët serbë të Kosovës kanë qenë shënjestër e presionit të jashtëzakonshëm të Beogradit dhe strukturave kriminale.

“Sa i takon aspektit të sigurisë, aspektit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë zgjedhje të suksesshme. Nuk pati asnjë incident apo problem të vogël. Aspekti politik, është gjë shumë e keqe që shtetasit tanë të nacionalitetit serb, për shkak të presioneve të jashtëzakonshme të Beogradit e strukturave kriminale të tij, nuk kanë marrë pjesë. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë marrë pjesë. Megjithatë, nëse shohim aspektin ligjor, zgjedhjet janë të suksesshme dhe rezultat i këtyre zgjedhjeve do të jenë institucione e zyrtarë që do t’i shërbejnë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla për KTV-në.

Sveçla ka treguar se ka kaluar ditën në veri të Kosovës. Ai ka thënë se zakonisht dalja në zgjedhjet në veri ka qenë e vogël, por kësaj radhe është më e vogël se herëve të kaluara.

“Duhet të pasur një gjë të qartë, Republika e Kosovës s’mund të jetë objekt shantazhi i Vuçiqit, Qeverisë së Serbisë apo grupet kriminale që dirigjohen nga ta. Ne na vjen keq, që shtetasit tanë të nacionalitetit serb janë subjekt i një presioni të tillë të hatashëm, duke filluar nga kërcënimet, rrahjet. Kemi pasur edhe vrasje të njerëzve që janë angazhuar në politikë e edhe arrestime së fundi. Jemi dëshmitar që Vuçiqi ka përmendur një listë të personave që priten të arrestohen me akuzë se po bashkëpunojmë me institucione të Kosovës, sipas tij ata po e shkelin Kushtetutën e Serbisë. Kemi një ish-polic që ishte detyruar të japë dorëheqje e tash edhe është arrestuar në pikën kufitare me Serbinë është dërguar në brendësi të territorit të Serbisë. Familja e tij ka treguar për presione e shantazhe”, tha Sveçla.

Ai ka treguar se nuk është i vetmi që po përndiqet.

“Kemi shtetas të rrahur që janë në trajtim mjekësor, vetura e prona të djegura”, tha Sveçla, që ka thënë se Lista Serbe po e humb ndikimin në veri të Kosovës, siç e ka humbur edhe në Kuvend të Kosovës.

Sveçla ka treguar edhe për kërcënimet që ka marrë kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq. Patrulla e Policisë së Kosovës, po qëndron para dyerve të shtëpisë së saj, duke u përkujdesur për sigurinë e saj.

“Po është e qartë se kandidatja ka qenë e kërcënuar. Edhe publikisht tashmë pos që është bulizuar në rrjete sociale, edhe është kërcënuar. Është ndier e kërcënuar dhe institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës, është e obliguar të ofrojë siguri për gjithë shtetasit e saj, e veçanërisht për personat që janë kërcënuar e kanë ndikim në shoqëri apo janë pjesë e proceseve politike, pjesë e proceseve ligjore, siç janë zgjedhjet”, tha Sveçla, ndërsa ka shtuar se varësisht nga vlerësimi i situatës do të vendoset se sa gjatë do të qëndrojë patrulla e Policisë para shtëpisë së Pantoviqit.

Related Articles