Për të mos u çuditur, autoritetet në Serbia kanë arrestuar sërish një qytetar nga Republika e Kosovës, nën dyshimet se i njëjti ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkohë që në arrestimet e mëhershme Serbia hidhte akuza si “krime ndaj popullatës serbe” apo gjëra të ngjashme, tani po mjafton një përgjigje si “pjesë e UÇK-së”, pa dhënë asnjë fakt apo provë se të njëjtit kanë kryer krim apo vepër penale. Faktori ndërkombëtar duket se po e sheh krejt normale një dukuri të tillë, duke mos reaguar fare, shkruan Gazeta Enigma.
Bëhet fjalë për Behar Preniqin, familjarët e të cilit kanë thënë se Behari as që ka marrë pjesë në luftës së fundit në Kosovë dhe se i njëjti jeton në Gjermani.
“Serbia mbetet e angazhuar për ta cenuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës”
Eksperti i çështjeve të sigurisë nacionale, Bedri Elezi, thotë për Gazetën Enigma se ky rast dëshmon qartë se Serbia mbetet e njëjtë, sa i përket angazhimeve të saja për ta cenuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës.
“Ne kemi shumë raste kur qytetarët e Republikës së Kosovës plaçkiten, torturohen e madje dhunohen, nga zyrtarë të Policisë së Serbisë, por prapë kemi numër të madh të qytetarëve që dëshirojnë të kalojnë nëpër Serbi. Duhet të kemi kujdes të shtuar sa i përket kësaj qasje nga Serbia. Qytetarët duhet të kërkojnë mënyra të tjera për të ardhur në Kosovë, të shfrytëzojnë rrugët alternative, ani se infrastruktura mund të jetë më e keqe apo koha më e gjatë”, tha Elezi për “Enigmën”.
Elezi thotë se shërbimet sekrete serbe krijojnë rrethana të sajuara, për të arrestuar dhe akuzuar qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Serbia ka veprime shoveniste për personat që kanë marrë pjesë në veprime që lidhen për të drejtat e shqiptarëve dhe lirinë e Kosovës”, deklaroi eksperti i sigurisë.
“Ta bojkotojmë rrugën e Serbisë”
Në Serbi nuk ka mekanizma të sigurisë dhe drejtësisë, por ka përfaqësues të grupeve kriminale, që udhëhiqen nga presidenti i Serbisë, dhe mekanizma të tjerë, thotë Elezi.
Në bazë të këtyre argumenteve, ai këshillon që rrugët nëpër Serbi të anashkalohen në mënyrë të organizuar nga shoqëria kosovare, në mënyrë që edhe BE-ja të shoh se diçka nuk është në rregull aty.
“Le të jetë një alarm serioz ky arrestim i fundit dhe të ndërmerren të gjitha veprimet që të paktën ta bojkotojmë rrugën e Serbisë në mënyrë të organizuar si shoqëri, duke i bërë të qartë edhe faktorit ndërkombëtarë që arsyeja pse nuk kalojmë nëpër Serbi është rrjeti kriminal që është shtrirë në institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Serbi”, u shpreh Elezi.
Formë e re e luftës së ftohtë në Ballkan
Eksperti i Sigurisë Kombëtare, Drizan Shala, thotë për Gazetën Enigma se qasja selektive dhe arbitrare ndaj qytetarëve të Kosovës që kanë kaluar apo qëndruar në Serbi, është një formë e re e luftës së ftohtë në Ballkan.
“Këto arrestime janë të motivuara politikisht dhe nuk bazohen në hetime serioze apo prova të qëndrueshme ligjore. Janë pjesë e strategjisë hibride të Serbisë, që përfshin përdorimin e sistemit të drejtësisë si instrument të kontrollit politik dhe presionit ndaj Kosovës”, deklaroi Shala.
“Këto arrestime janë të motivuara politikisht dhe nuk bazohen në hetime serioze apo prova të qëndrueshme ligjore. Janë pjesë e strategjisë hibride të Serbisë, që përfshin përdorimin e sistemit të drejtësisë si instrument të kontrollit politik dhe presionit ndaj Kosovës”, u shpreh tutje Shala.
A është e sigurt për qytetarët e Kosovës të kalojnë nëpër Serbi?
Në situatën aktuale, udhëtimi përmes Serbisë nuk mund të konsiderohet i sigurt për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për ish-pjesëtarë të institucioneve të sigurisë dhe administratës, si dhe ata që kanë pasur angazhim publik apo politik, thotë eksperti Shala.
“Ka rrezik real që emrat e tyre të figurojnë në lista të hartuar nga shërbimet e inteligjencës serbe, shpesh pa procedurë ligjore transparente”.
“Veprime shoveniste të Serbisë – shkelje e marrëveshjes së Brukselit”
Deputetit nga radhë e PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se këto arrestime janë veprime shoveniste të shtetit të Serbisë, ku qytetarët që nuk kanë ndonjë funksion publik, arrestohen pa ndonjë kuptim.
“Përveç që ndalohen, ata maltretohen psiqikisht, dërgohen nëpër burgje të Serbisë, gjë që unë mendoj se është një shkelje e marrëveshjes së Brukselit, për lëvizje të lirë mes dy shteteve”, tha Qalaj në një prononcim për Gazetën Engima.
Qalaj tha se Qeveria e Kosovës, me gjithë mekanizmat që ka, duhet të bëj presion nëpërmjet Bashkimit Evropian, që këto gjëra të mos ndodhin.
“Është fatkeqësi që qytetarët gati për ditë ndalen dhe i nënshtrohen një turture psikike, por nganjëherë edhe fizike, prej autoriteteve të Serbisë”
Heshtja e BE-së, e gabuar
Deputeti Qalaj tutje tha se heshtja e BE-së është një qasje joserioze.
“Qasja e BE-së është e gabuar, për shkak se është dëshmuar se të arrestuarit janë duke u maltretuar. Duhet t’i bëhet presion Serbisë që ta ndalojë terrorizimin e qytetarëve kosovarë, të cilët vendosin të kalojnë nëpër territorin e Serbisë. Duhet bërë trysni më shumë tek Bashkimi Evropian, që ta kemi situatën pak më ndryshe”.
Reagim nga Kosova
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës reagoi pas arrestmit, duke shprehur shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të arrestimeve arbitrare dhe të paprovokuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
“Rasti i fundit i arrestimit të qytetarit Behar Preniqi, i cili u ndalua dje në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. MPJD konfirmon se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, menjëherë pas kontaktit me familjen e z. Preniqi, është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast”, thuhet në reagim.
Zyra ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e Preniqit dhe për të sqaruar arsyet e ndalimit të tij. Përveç kësaj, rasti është përcjellë edhe te delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi si edhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it.
MPJD-ja u bëri thirrje përsëri të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë zëshëm dhe me vendosmëri ndaj praktikave represive të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me parimet themelore të së Drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në fund. /GAZETA ENIGMA