Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se mos përmbushja e agjendës parlamentare është “jashtëzakonisht e dëmshme për vendin”.
Sipas Tahirit, Qeveria nuk ka arritur të përmbushë as 20 për qind të asaj që ka prezantuar në fillim, duke mos proceduar projektligje të rëndësishme për vendin në Kuvend.
“Nuk kemi pritur të realizohet 100 për qind sepse edhe mandati është marrë në mars por kemi pritur të paktën të tejkalojë 60 për qind sepse janë shumë projektligje të rëndësishme që do duhej të kishte angazhim më të madh qeveria”, ka thënë Tahiri.
Në anën tjetër Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahen dy seanca në Kuvendin e Kosovës.
“Të enjten Kuvendi do të mblidhet për të votuar Ligjin për Inspektimet, teksa të premten do të ketë seancë të re të Kuvendit, në rend dite janë 37 projektligje”, ka thënë Kusari.
Sipas saj mos përmbushja e agjendës parlamentare është e lidhur ekskluzivisht me mbajtjen e zgjedhjeve lokale e një varg çështjet të tjera.
“Kuvendi ka filluar të funksionojë pas zgjedhjes së presidentes. Pastaj e kemi pasur procesin e zgjedhjeve lokale. Kemi një mori projektligjesh dhe sapo janë miratuar e do të miratohen edhe të tjera. Projektligjet shkojnë me një procedure të thjeshtë”, ka thënë Kusari-Lila.